Ia dëmtuan veturën, gazetari Naser Selmani: Nuk më frikësoni, kam dyshimet e mia se kush qëndron pas këtij akti kriminal

Gazetarit Naser Selmani dikush ia ka dëmtuar veturën duke ia plasur gomën me thikë, informon Telegrafi Maqedoni.
Selmani për rastin ka njoftuar në faqen e tij në Facebook, teksa shkruan se nuk ka konflikte me askend, mirëpo ka dyshime se kush mund të jetë i përfshirë në rast.
Ai sqaron se rastin e ka paraqitur edhe në polici, madje ka biseduar dhe me ministrin Pançe Toshkovski.
Postimi i plotë i gazetarit Naser Selmani:
Të dashur miq, Ju njoftoj se sot në mëngjes kam vërejtur se dikush me thikë ka dëmtuar gomën e makinës të parkuar para ndërtesës ku jetoj në Shkup.
Nuk i kam borxh askujt dhe nuk kam konflikt me askend! Rastin e paraqita në polici dhe pata një bisedë të shkurt me ministrin e Brendshëm, Pançe Toshkovskin për ta njoftuar për këtë incident dhe kërkova të zblulohen autorët dhe inspiratorët e krimit.
Ministri më premtoi se do punojnë për zbardhjen e rastit.
Unë jam gazetar dhe nuk jam anëtar i asnjë partie politike. Jam qytetar i zakonshëm, shqiptar dhe anëtar i Lëvizjes Bota Shqiptare!
Me këtë rast, ftoj kryeministrin Mickovski dhe liderët e partive shqiptare të dënojnë këtë akt të shëmtuar kundër një gazetari dhe të distancohen nga këto veprime të shëmtuara të dhunës kundër lirisë së fjalës.
Unë kam dyshimet e mia, por njëherë nuk do të flas para se policia të merr kohën e duhur për të kryer detyrën e saj, të zbulojë autorët dhe inspiratorët e këtij sulmi dhe të kërkoj prej organeve të drejtësisë ndëshkimin e kriminelëve.
Nëse për një afat të arsyeshëm prej dy javësh, policia dhe organet e hetuesisë nuk zbulojnë autorët e inspiratorët e krimit, atëherë me opinionin do të ndajë dyshimet e mia se kush qëndron pas këtij akti kriminal.
Nëse diskush mendon se me metoda kriminale mund të më frikësojnë, e kanë shumë gabim. Keni zgjedhur njeriun e gabuar.
Edhe njëherë përsëris, nëse policia nuk mbron qytetarët e vet, atëherë si qytetar dhe shqiptar kam të drejtën e Zotit për vetëmbrojtje.
Poashtu do ju drejtohem organizatave ndërkombëtare, shtetit shqiptar dhe Kosovës të marrin në mbrojtje shqiptarët dhe gazetarët e rrezikuar në Shkup!




















































