Zbuloni prerjen më të kërkuar të flokëve të sezonit. Shtresat e buta, lehtësisht të valëzuara dhe pamja e natyrshme e bëjnë të përsosur për çdo lloj flokësh dhe formë fytyre

Këtë stil e kanë përqafuar yje të shumta të Hollivudit, si Keira Knightley, Gigi Hadid dhe Pamela Anderson.


Kthimi i papritur i stilit të viteve ’70 këtë sezon është ndier edhe në botën e bukurisë, ku ngjyrat e errëta të buzëve dhe flokët “messy” po zëvendësojnë trendet minimaliste.

Kjo qasje më e lirshme, larg elegancës strikte, fton individualitet e spontanitet dhe frizura që e përfaqëson më mirë këtë shpirt është pikërisht boho bob: një variant më i butë, më i lehtë dhe më natyral i bob-it klasik.

Kjo prerje e kornizon fytyrën, e zbut pamjen dhe jep përshtypjen e kujdesit pa përpjekje, transmeton Telegrafi.

Çfarë është boho bob?

Fokusi është te pamja e lirshme dhe jo e përsosur. Harrojini vijat e prera dhe bob-et e lëmuara, këtu qëllimi është të krijohet një teksturë e natyrshme, pak e çrregullt, që nxjerr në pah karakterin e flokëve tuaj.

Boho bob është një prerje me shtresa të buta që përfundon në nivelin e shpatullave ose pak mbi to. Është shumë praktike, kërkon pak mirëmbajtje dhe i përshtatet pothuajse çdo forme fytyre. Sa më pak ta stilizoni, aq më bukur duket.

Si të arrini stilin boho bob?

Nëse keni flokë natyrshëm të valëzuar, mjafton t’i formoni pak me duar, me pak krem ose vaj të lehtë për stilim, dhe t’i lini të thahen natyrshëm. Shtoni një sprej për teksturë për t’i dhënë efektin “beach waves”.

Nëse keni flokë të drejtë, mund të përdorni një figaro për të krijuar valëza të lehta, pastaj t’i kaloni me gishta për ta bërë pamjen më të lëshuar.

Bukuria e kësaj prerjeje qëndron te universaliteti i saj - i përshtatet formave ovale, të rrumbullakëta, katrore dhe në formë zemre.

Boho bob është simbol i natyrshmërisë, rehatisë dhe stilit të lirë. Ai rikthen shpirtin bohem të viteve ’70 në një formë moderne dhe të lehtë për t’u mbajtur, prerje që flet për vetëbesim dhe thjeshtësi.

/Telegrafi/