LAJMI I FUNDIT:

I besonin, sepse ishte rritur me shqiptarë: Nëna e luti Ivanoviqin, t’ia shpëtojë djalin (Foto/Video, +18)

I besonin, sepse ishte rritur me shqiptarë: Nëna e luti Ivanoviqin, t’ia shpëtojë djalin (Foto/Video, +18)

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ende nuk ka përfunduar gjykimi i Oliver Ivanoviqit dhe katër serbëve tjerë, të cilët akuzohen për krime të rënda të kryera në Mitrovicë në vitet 1999 dhe 2000.

Në bazë të dëshmive që KMLDNJ në Mitrovicë i posedon nga dëshmitarët për masakrën e 14 prillit të vitit 1999, kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, kishte bërë kallëzimin penal në gjyq.

Sipas tij, i pari që ka dhënë deklaratë pas lufte në KMLDNJ ishte Isa Mustafa. Dëshmia e tij flet për masakrën e 14 prillit 1999 në lagjen “Qendra1” dhe “Bair”ku janë vrarë 31 shqiptarë. Ky rast shpjegohet edhe në librin e Nikolla Paçarizit, ku thotë se në mëngjesin e 15 prillit, drejtori i atëhershëm i shkollës fillore “Meto Bajraktari”, duke shkuar për në shkollë “kishte ecur mbi trupa të vdekur e të larë me gjak”.

“Isa Mustafa vet i katërti ka qenë duke pritur te shtëpia e Haki Kurshumliut në lagjen ‘Bair’, për tu pushkatuar.Aty ka shkuar Oliver Ivanoviqi, i armatosur gjerë në dhëmbë, i cili ka pyetur se pse po priste aty? Ai i ka thënë se nuk e din, se këtu i kishin thënë të priste.Oliveri thotë që të ecnin për në Shqipëri”, thotë Barani duke u bazuar në deklaratën e Isa Mustafës.


Mustafa e njihte Oliverin, sepse ka ushtruar karate në Pallatin e Sporteve “Trepça” në Mitrovicë, ndërsa Oliveri ishte mjeshtër i karatesë. Ai ia kishte parë fytyrën Ivanoviqit, në uniformën e Policisë serbe, mesditën e 14 prillit 1999.

"Shef, çka po bëjmë me ta", ka thënë Mustafa se e kishte pyetur një serb Ivanoviqin.

"Zbatoji urdhrat që kemi marrë", i ishte përgjigjur ai.

Lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, më 21 janar është përballur në gjyq me Mustafën, i cili e ka akuzuar atë se në vitin 1999 ka qenë udhëheqës i njësitit paramilitar serb.

“Në lagjen ‘Bair’ dhe ‘Qendra 1’ janë pushkatuar 31 shqiptarë. Këtë e them me përgjegjësi të plot, sepse kur është bërë zhvarrosja e trupave të pajetë të asaj dite, në qershor dhe në korrik të vitit 1999, në mes dy fushave Suhodoll dhe Vidimriq kanë qenë 31 varreza. Të gjitha kanë qenë me numra e jo me emra. Aty s’më kanë lejuar të incizojë e as të fotografojë”, ka thënë Barani për Telegrafin.

Atëherë, për tri ditë radhazi është bërë zhvarrimi i trupave. Pesë trupa një kohë të gjatë nuk kanë qenë të identifikuara. 26 janë identifikuar.

KMLDNJ ka deklarata edhe për raste tjera ku përmendet emri i Ivanoviqit, si për rastin e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000.

“Në natën e 3 dhe 4 shkurtit 2000, prej orës 21:00 e deri në orën 3:30 të mëngjesit, janë pushkatuar 10 shqiptarë brenda nëpër shtëpi; janë plagosur me armë zjarri 25 të tjerë; janë keqtrajtuar rëndë fizikisht 93 shqiptarë;ndërsa janë dëbuar 1200 e më tepër familje nga kriminelët serb, të prirë nga kryekrimineli Oliver Ivanoviq në bashkëpunim me Dragan Delibashiqin dhe bashkëpunëtorë të tij,cilët akuzohen sot”, ka deklaruar Barani.

Në fletarrestimin ndaj politikanit serb, Oliver Ivanoviq, përshkruhen urdhrat që ka dhënë ai për vrasjen e nëntë shqiptarëve në prill 1999, si komandant i MUP-it serb në veri. Aty përshkruhen edhe urdhrat dhe pjesëmarrja në vrasjet e shqiptarëve të veriut në shkurt 2000, këtë herë në rolin e udhëheqësit të grupit paramilitar “Rojat e Urës”.

“Më 14 prill 1999, rreth orës 12:00, në rrugën ‘Miladin Popoviq’, tani “Ahmet Selaci”, dhe në rrugën për në ‘Bajr’, në kundërshtim me Konventën e Gjenevës, duke vepruar si Komandant i Stacionit në Mitrovicë në kuadër të MPB të Republikës Federale të Jugosllavisë, urdhëroi një grup të caktuar të policëve që të bëjnë krime lufte kundër personave që nuk ishin direkt të përfshirë në luftime dhe me këtë urdhëroi që të kryejnë vrasjen e viktimave të nacionalitetit shqiptar, e që janë: Fatmir Mustafa, Skender Paqarada, Avni Abazi, Mehmet Sefari, Isa Mustafa, Xhemshit Smajli, Behxhet Ferizi, Mentor Mehana dhe Shefki Kosumi”, thuhet në akuzë.

Flora Peci ka dëshmuar në rastin kundër Oliver Ivanoviqit dhe të tjerëve, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, më 24 shkurt të këtij viti.

Në mëngjesin e datës 14 prill, fqinji i Florës, serbi Miodrag Ristiq, erdhi në derë dhe ju tha të mos dilnin fare nga shtëpitë, se kishte kontroll nga Policia serbe. Ai ua bleu gjërat elementare, ndërsa shqiptarët besonin në ndihmën dhe në mbrojtjen e tij.

“Rreth orës 11 u dëgjuan rrapëllimat e tmerrshme në dyert e metalta të ndërtesës. Ne, dy palë banorë që ishim në katin tonë, dolëm në korridor.Në atë moment erdhi fqinji ynë, rom i katit të pestë, i veshur në rroba paramilitari. Ishte Boban Kërstiq. Ai na tha që t’i lëmë dyert e hapura, në mënyrë që të mos i thyejnë njësia speciale e Çaçakut(kështu u shkruante në uniformë)”, rrëfen Flora.

Sipas Florës, njësisë speciale i printe fqinji i saj, Miodrag Ristiq. Ata u thanë shqiptarëve t’i marrin gjërat elementare për rrugëtim dhe t’i lëshojnë shtëpitë, pa treguar se ku po i dërgojnë.

“Zbritëm poshtë. Aty në hyrje ishte një paramilitar me një armë të madhe në dorë, mitraloz mendoj. Nisi me zë të lartë të na bërtasë që të shpejtojmë”.

Flora rrëfen momentin kur i ndanë meshkujt e banesës, ndër ta edhe vëllain e saj Afrimin.

“Filluan t’i ndanin meshkujt dhe t’i shtrijnë për toke në anën e kundërt të rrugës. Në fillim mendova se janë thasë e jo djem të shtrirë. Djali i xhaxhait tim u përpoq të fshihej mes nesh, por një nga paramilitarët e maskuar i ra me tytë pushke në shpinë. ‘Nisu,djali im’, ishin fjalët e babait tim të ndjerë. Vëllain ma morën duke ia larguar të bijën dymuajshe nga dora. Vëllai ngriti kokën ashtu i shtrirë, mbase për herë të fundit na përshëndeti me një buzëqeshje mallëngjyese”.

Flora rrëfen për fqinjën e saj, Shahbaze Cernobregu, e cila me ton lutës i ka thënë në gjuhën serbe Oliver Ivanovicit: ”Shpëtoma djalin”.

Sipas Florës, fqinjit tjetër, Shefqet Pllana, një paramilitar i tha se vetëm do t’i legjitimojnë meshkujt dhe se asnjë qime floku nuk do t’ju mungojë. Ajo thotë se ju besuan, por kjo ishte gënjeshtër.

“Sa bëmë pesë minuta rrugë, u dëgjuan krismat. Babai im na tha se janë krisma në ajër”, thotë ajo. Ata vazhduan, pa e ditur se për ku janë nisur.

Atë natë familjete kaluan në lagjen “Bair”.

Të nesërmen, herët në mëngjes, hasën në disa ushtarakë serbë të cilët u thanë se janë në zonë të rrezikshme dhe se duhet të marrin rrugën për në Shqipëri.

“U nisëm për të ndenjur nja dy orë në fshatin Zhabar, në një familje shqiptare. Por, edhe aty arritën forcat serbe dhe na dëbuan”, rrëfen Flora.

Ajo tha se nata i zuri në rrugë, pa ngrënë fare.

“E pyeta fqinjën time, Shahbaze, se përse e luti ashtu Oliverin, e ajo më tha: ‘Oliver Ivanoviqi ka autoritet, është rritur me shqiptarë dhe mbase do t’i shpëtojë djemtë’. Në realitet nuk e dinim se ai ishte organizator i të gjithave. Këtë e kuptuam më vonë”.

Tmerret dhe ecejaket e Florës nuk kanë të ndalur. Ajo me shumë të dëbuar tjerë arrijnë deri në Pejë, ndërsa detyrohen të kthehen sërish në Mitrovicë. Nga çdo strehim që gjen, dëbohen. Ndërsa, bëhet dëshmitare e ndarjes së burrave tjerë, disa nga të cilët dërgohen në burgun e Vushtrrisë. Tmerret vazhdojnë deri më 8 qershor, kur drejtohen për në fshatin Zhabar.

“Donin të na çonin deri te xhamia e atij fshati. Të lodhur, nuk mundëm të vazhdonim tutje. Edhe aty pati bombardime të NATO-s. Besoj se dikush i kishte lajmëruar për këtë ngjarje”.

Edhe aty paramilitarët filluan t’i ndanin meshkujt.

“I dërguan në burgun e Smrekovnicës, por i lëshuan meqë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës më 10 qershor. Ata kishin mbetur në fshatin Kçiq, për t’u kthyer më vonë nëpër vendbanimet e tyre”, shpjegon tutje Flora.

Më 12 qershor ajo dëgjon se ishin vrarë edhe disa shqiptarë në këtëlagje. Gjatë kthimit në banesë, fqinji Miodrag Ristiq thotë se djemtë i kanë dërguar diku. Flora thotë se e mbante shpresa se djemtë janë gjallë, se do të kthehen.

“Menjëherë filloi xhandarmëria franceze të vijë dhe të na intervistojë për rastin e djemve.Ne merrnim informata se ata janë të gjallë nëpër burgjet e Serbisë. kjo shpresë na mbante”, përfundon rrëfimi prekës i Flora Pecit.

Por, tmerri i shqiptarëve në veri të Mitrovicës nuk ndalon. Në natën mes të datës 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, në veriun e Mitrovicës u ekzekutuan dhjetë qytetarë shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra dhe pleq.

Atë natë u vranë: Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka, Remzije Canhasi, Selime Berisha, Nezir Voca, Shqipe Voca, Bashkim Rrukeci, Nimon Sejdiu, Sebiha Abrashi dhe Muharrem Sokoli.

Po atë natë u plagosen rëndë 25 shqiptarë, kurse u keqtrajtuan rëndë fizikisht 93 të tjerë. Në të njëjtën kohë filluan përndjekjet e shqiptarëve nga banesat dhe shtëpitë e tyre, me qëllim të spastrimit etnik të kësaj pjesë të qytetit.

Vetëm natën në mes të datës 3 dhe 4 shkurt, nga veriu i Mitrovicës me dhunë u dëbuan rreth 100 familje shqiptare. Përndjekja e shqiptarëve vazhdoi edhe në ditët në vijim, kështu që gjatë muajit shkurt të vitit 2000 nga veriu i Mitrovicës u dëbuan me dhunë mbi 1.500 familje shqiptare.

Sipas Baranit, prej shkurtit e deri në korrik të vitit 2000, janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre në veri mbi 11 mijë shqiptarë.

Barani të gjitha deklaratat e dëshmitarëve për rastin e 14 prillit 1999 dhe rastin e 4 shkurtit 2000 i ka deponuar me 25 shkurt 2013 në Prokurorinë e EULEX-it.

Telegrafi më poshtë ju sjellë dëshmitë e të mbijetuarve të masakrës së 3 dhe 4 shkurtit 2000 të siguruara nga Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Mitrovicë.
Hava Sejdiu: “Ishte ditë e enjte, ora 10 e mbrëmjes. Thirra shoqet për të ndenjur, por më shumë për t’u nxehur. Nga ora 22:00 ka krisur një bombë dhe të njëjtën kohë dhe një sirene e kerrit. Serbët e kanë gjuajtur bombën nga dritarja e banesës. Përnjëherë u mbush rruga me paramilitarë serbë. S’kishe ku e vendosje këmbën. Përderisa dy fqinjet e mia shkuan nëpër shtëpitë e tyre, njëra mbeti tek unë. Thash të dal të shoh se ç’po ngjet. Dritaren e kam hap. I dëgjova paramilitarët duke thënë: ‘Shkojmë, shkojmë, se në katin e parë është dera afër Gjokës, atje është një shqiptar’.

Në pamundësi për t’i treguar shokut, ata menjëherë erdhën tek ne. Sa arrita tek dera e hyrjes, i vendosa duart në derë (mendja ime që mund ta mbaj derën). I mëshuan derës tri herë me shqelma. Afër 200 veta kishin mësyrë. Shoku doli, fëmijët mbeten brenda. Menjëherë më kanë kapë për flokësh dhe ma ngritën kokën lart.

Më pyetën ‘çka je’, ju thash se shqiptare. E njoha personin, por emri s’më kujtohet. Menjëherë më gjuajti boks dhe u alivanosa. Shoku, kur më ka pa mua në duar të çetnikëve, i ka rënë njërit. Pastaj e kanë kapur shokun dhe e kanë maltretuar në mënyrën më mizore.

Kur më ka ardhur pak vetëdija, kam shkuar pas bashkëshortit të shikoj çka ka. Aty ishin afër 30 ose 40 veta që thanë: ‘Hajde bezhimo, ovaj je gotov’ (Ikim, se ky mbaroi). Këtë fjalë e kam dëgjuar. Shoku duart i kishte pasur lartë, trupin e kishte të lëshuar poshtë.

Nga serbët fëmijët i kanë marrë disa boksa. Për fat, fëmijët u përzien me serbët dhe kanë ikur zbathur nga Lagja e Boshnjakëve. Mbas dy orëve shokun s’e di kush e ka sjell apo ka ardhur vet, se unë ika tek fqinja përball. Kam përcjell për spiun të derës dhe pashë Nimonin. Mirëpo, kur e ktheva, Nimonin nga vetja nuk kam mundur ta njoh në çfarë gjendje e kishin sjell. E kam tërhequr me shoqen dhe e kemi futur brenda. Prej orës 22:00 deri në orën 4:00 të mëngjesit nuk kam marr asnjë ndihmë, pos disa qytetarëve që janë interesuar përmes telefonit.

Në orën 4:00 të mëngjesit ka ardhur një njësit i madh i KFOR-it, diku 56 tanke e 20 makina policie të UNMIK-ut. Menjëherë e kanë dërguar në spitalin e Prishtinës e mua në Spitalin e marokenëve. Nimoni nuk i mbijetoi torturave”.

Shaip Canhasi: “Në orën 9:20 isha me bashkëshorten ne banesën tonë të dhënë me qera një polici të UNMIK-ut nga Jordania, i cili ishte bashkë me ne. Serbët e thyen derën dhe filluan rafal të na gjuajnë. Bashkëshorten time e kapi plumbi. Mua më kapi ky polici, ma vuri dorën me ra. E kapëm bashkëshorten, e qitën në krevat dhe vdiq.

Një serb prej tyre e njoha që ka qenë militar. Karshi banesës e kam po emrin nuk ia di. Banesa ne të cilin ai jeton e ka të uzurpuar. Numri i asaj banese është S5 nr. 1/1. Vetëm një hyri, d.m.th. ai që e kam karshi. Kufoma ka mbetur 24 orë ashtu, derisa erdhën KFOR-i. Ata e kanë çuar për në Prishtinë. Mezi e kam varros”.

FeridZahiti: “Meqenëse isha duke e kaluar rrugën te Mentor Jashari, papritmas më kanë ra mbrapa me mjete të ftohta. Më ka rënë ne kokë rënd gjashtë veta. Pasi i kanë kryer procedurat të cilat kanë zgjatur diku 15 minuta, i përgjakur e pa intervenuar askush, kam hyr në kerr të Policisë. Pasi hyra, më dërguan për në Spital të Marokenëve. Aty kokën ma kanë qepur në tri vende. Policia më ka marrë në pyetje. Thanë a i njeh, ju thash se po”.

Nexhmedin Ajeti: “Rreth orës 22:00 një turmë e madhe e serbëve ka hyrë në ndërtesën tonë, në lagjen Lulishtja. Në këtë ndërtesë pos meje ka banuar edhe një shqiptar, Mazllum Mehmeti. Ai ka qenë në katin e pestë, ndërsa unë në katin e tretë. Serbët shkuan në katin e pestë, po pasi dera e Mazllumit ishte derë e hekurit, nuk kanë mundur ta hapin. Pas një kohe kanë ardhur tek ne dhe thanë: ‘Otvori vrata’ (hapeni derën). Unë s’kam dashur ta hap derën. Prapë kërkuan e unë jo. Pas kësaj filluan të gjuajnë me automatik në drejtim të derës time. Jemi përpjekur që të mbrohemi, por s’kemi mundur me i përballu asaj. Prapë kërkuan, e pastaj kemi dëgjuar një eksplodim të madh. Dera ka dalë nga vendi i vet.

Pas kësaj menjëherë kanë gjuajtur një bombë e cila ka eksploduar, e pastaj edhe një bombë. Ashtu radhazi kanë gjuajtur edhe pesë bomba tjera në banesën time. Si pasojë e kësaj dy, fëmijët e mi janë lënduar. Edhe unë jam lënduar, gruaja dhe vajza e Gani Xhakës i cili ka qenë mysafir tek unë.

Përpos që kanë gjuajtur me bomba, kanë gjuajtur edhe me snajper prej ndërtesës përball meje, prej katit të shtatë, sepse të gjitha dritaret ishin thyer. Pas eksplodimit të bombave kanë filluar orenditë të digjen. S’kemi ditur ç’të bëjmë: a me fikë zjarrin apo të përballemi me ta dhe të shikojmë se çfarë po bëhet. Pas kësaj ata kanë ikur. Unë ende nuk e kam ditur se çfarë po ndodh në shtëpi. Kur shkova në sallon e pash që i lënduar është djali Nderim Ajeti, vajza Rrezarta Ajeti, gruaja e Gani Xhakës – Neriman Xhaka, dhe vajza e tij – Emine Xhaka. Kemi kërkuar ndihmë prej KFOR-it, po KFOR-i kurrsesi s’ka ardhur.

Kanë kaluar tri orë e gjysmë duke u përballur me trupat. Pas kësaj na kanë marrë dhe na kanë çuar në drejtim të Spitalit të qytetit, i cili gjendet tek Fabrika e Akumulatorëve. Djali, Nderim Ajeti, 13-vjeçar, më vdiq mbas disa orëve. Vajza është lënduar rënd, unë jam plagosur në këmbën e majtë. Ata janë thirr gjithë kohën te Dragan Delibashiqi, i cili ka qenë përgjegjës për krejt Mitrovicën”.

Pas deklaratave të 18 dëshmitarëve të Prokurorisë në lidhje me ngjarjet e vitit 1999, do të dëshmojnë 40 të tjerë për krimet e vitit 2000. Ivanoviq akuzohet se në Kosovë ka kryer krime të luftës kundër popullatës civile në vitin 1999 dhe 2000. Të akuzuarit tjerë janë Dragolub Delibashiq, Ilija dhe Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Lazoviq.

Nëse këta shpallen fajtorë, mund të dënohen deri me burg të përjetshëm. Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala ka thënë më parë për Telegrafin se “drejtësia e heshti masakrën në veri të Mitrovicës”. Ndërkaq, Halit Berani, përkitazi me këtë proces gjyqësor thotë se gjithçka varet nga dëshmia e dëshmitarëve, se çfarë ata dëshmojnë, por edhe nga ndërkombëtarët që janë të pranishëm në këtë proces.

“Sa i përket gjyqësorit tonë, nuk pres gjë nga ai”, thotë Barani. /Elfije Boletini/Telegrafi/

Nderim Ajeti

Shqipe Voca dhe Nezir Voca

Nimon Sejdiu

LEXO PO ASHTU:

Ivanovic hetohet për vrasjen e shqiptarëve
Isa Mustafa: Ivanovici urdhëroi të na vrisnin
Dëshmitari Hasanaj: Ivanovic ishte pjesëmarrës në masakrën e vitit 2000
Dëshmitari: Oliver Ivanovic udhëhoqi aksionin e pushkatimit
Rrëfen i mbijetuari i aksionit të “Rojave të Urës”
Krimet serbe të luftës: Isa Mustafa dëshmon kundër OliverIvanoviqit
Të gjitha krimet, për të cilat dyshohet Ivanovic
Berani: Ivanovici, pjesëmarrës i masakrës së prillit 1999 dhe shkurtit 2000
Krimet serbe të luftës: Isa Mustafa dëshmon kundër Oliver Ivanoviqit


Reportazh prekës nga Mitrovica, i botuar më 2003 në Tagesspiegel që pasqyron realitetin e hidhur në të cilin rriten fëmijët shqiptarë të Mitrovicës

BOTA E LINDËS

“Die Serben”, thotë ajo, “dëshirojnë të na vrasin”. Ajo është nëntëvjeçare, shqiptare e Kosovës dhe e di fare mirë se çka është mirë dhe çka është keq. Lufta ka mbaruar që një kohë të gjatë, por urrejtja mes dy grupeve etnike është e pranishme edhe më tej. Dhe natën rikthehen ëndrrat e këqija.

Ajo bie në sy. Ndoshta për shkak se ajo është më e shkurtër sesa fëmijët tjerë në moshën e saj, ndoshta edhe për shkak se ajo është gjithmonë e para. Kur të tjerët vrapojnë, ajo veç arrin në cak. Ka zë të lartë, pothuajse si një djalë, madje luan edhe futboll me djemtë. Është e vetmja vajzë në lagjen e saj që mund ta bëjë këtë. Ajo duket më e rritura, më e pjekur, vajzë me një histori, e cila duket tepër e rëndë për moshën e saj.

Eurolinda është një fëmijë i Kosovës, nëntëvjeçare, ka një gjyshee cila ka vendosur Euron para Lindjes, një motër katërvjeçare, Eristinën dhe nënën 33-vjeçare, Alisa. Prej shumicës së njerëzve Eurolinda thirret thjesht Linda. Jeta e saj e përditshme zhvillohet në Mitrovicë, qytet ky i ndarë. Ne veri të qytetit jetojnë serbët, në jug shqiptarët, ndërsa në mes postblloqet e KFOR-it. Kur serbët dhe shqiptarët gjuajnë njëri–tjetrin me gurë, atëherë intervenojnë trupat e OKB-së dhe i ndajnë njerëzit nga njëri-tjetri. Meqë këtu në Mitrovicë, në rastin më të keq, trazirat mund të përfundojnë me të vdekur.

Shtëpia, në të cilën jeton Linda, është e fundit në pjesën shqiptare të qytetit. Para hyrjes së saj gjendet një postbllok i KFOR-it francez. Kur Linda kalon rreth ushtarëve, ajo përshëndet: “Hello”. Lindës më shumë i ka pëlqyer njësia që ka shërbyer më parë, ndërsa ushtarët e tashëm nuk mund t´i durojë. “Ata rrallëherë ta kthejnë përshëndetjen”, thotë Linda. Krahas kësaj, ajo ka edhe diç tjetër kundër francezëve. “ Ata i adhurojnë serbët dhe i lejojnë të vijnë në pjesën shqiptare të qytetit për të na vrarë“.

Të moshuarit i kanë rrëfyer këtë, por edhe Linda ka pasur një përvojë të hidhur. Ekziston historia e gurëve. “Serbët, nga ana tjetër e rrugës, kanë filluar me këtë…“, thotë ajo. “Pastaj edhe shqiptarët u kundërpërgjigjen me gurë. KFOR-i francez vetëm i shikon”.

Bota e Lindës ka një strukturë të thjeshtë. Ekzistojnë të mirët dhe të këqijtë dhe të mirët. Të këqijtë jetojnë në pjesën serbe të qytetit, ndërsa të mirët jetojnë aty ku jeton Linda.

Linda mbledh kukulla, të cilat janë të ngjitura në murin e dhomës së pritjes, pranë fotografisë së presidentit Ibrahim Rugova. Nëna e saj i ka mbledhur kukullat nga ndihmat humanitare, gjatë kohës së luftës, dhe i ka ngulitur në mur me qëllim që të mos pluhurosen. “Janë nga Italia…”, thotë Alisia.

Sa ishte gjallë babai i saj nuk kishte kukulla mbi divan. Lindës i kujtohet fare pak i ati. Në vitin 1998 ajo ishte vetëm katëvjeçare. “E vetmja gjë që di për babin tim është se gjithmonë më thoshte: ‘Eja prapa shpinës time’”. Nganjëherë kjo shpinë i mungon Lindës. Kur i jep gjyshja ndonjë obligim apo kur i bërtet e ëma. Por, kjo nuk ndodh shpesh. Ngase edhe Linda ka të drejtën e fjalës në këtë shtëpi. Ajo flet anglisht dhe atë mjaft mirë për një nëntëvjeçare. E ëma nuk flet anglisht, ndërsa gjyshja hesht. Kur mërzitet, Linda mbath këpucët, del në rrugë dhe shkon te postblloku i KFOR-it.

Në qytetin e ndarë të Mitrovicës janë stacionuar 3500 ushtarë të OKB-së. Nga 100 mijë banorë në këtë qytet, 12 mijë janë serbë, pra gati 90 për qind shqiptarë. Ata që dëshirojnë të shkojnë në pjesën serbe në veri, duhet të kalojnë postblloqet e KFOR-it. Linda ndalet para thasëve të mbushur me rërë, prapa të cilëve strehohen ushtarët në rast nevoje, dhe bën me gisht nga një automjet i blinduar. “Ky është xhip“, thotë ajo dhe ngrit kokën. Gati gjithnjë ajo e ngre kokën, ngase njerëzit përreth saj janë më të mëdhenj. Kur shikon nga lart, flokët i bien prapa dhe mbi qukat e saj përvidhen hijet e reve. Dhe, për momentin, ka shumë re. Që prej një muaj nuk ka rënë fare shi, ndërsa tashti bie disa herë në ditë. Njeriu mund të mendojë se ky mot i përngjet këtij vendi dhe historisë së tij. Qarkullojnë një mori rrëfimesh, në shumicën e rasteve rrëfime të tmerrshme.

“Milan, Nevena, Alena…”, thotë Linda. Këta emra janë të fëmijëve serbë. Me ata ajo ka luajtur para lufte. I kishte fqinjë. Ata janë arratisur me prindërit e tyre. Ku, Linda nuk e di. “Në Serbi…”, thotë ajo dhe tregon në drejtimin, i cili shpie matanë punktit kufitar nga shtëpia e saj.

Linda thotë se i ati dhe xhaxhai i saj në vitin 1998 ishin shtrirë si të vdekur në këtë rrugë në afërsi të postbllokut të KFOR-it. Me dorën e saj tregon fytin e saj dhe me gisht përshkon horizontalisht fytin dhe më pas drejton gishtin tregues në trotuarin e rrugës. Është njëra nga tri rrugët, të cilat ajo i njeh, më të gjerat, ajo kalon paralel me hekurudhën dhe të çon direkt tek ajo në shtëpi. Është rruga kryesore e Lindës, dy rrugët e vogla të çojnë brenda pjesës së banuar me shqiptarë. Jashtë këtyre tri rrugëve dhe tregut, në të cilin shesin cigare dhe miell kosovarët e dëbuar nga Gjermania, Linda nuk e njeh botën.

Më vonë e ëma e saj rrëfen se burri i saj është gjetur i vdekur nën një urë, i mbështjellë me një qese plastike, jo shumë larg hotelit “Palas”, hoteli më i madh në Mitrovicë. Kujtimet e Lindës mashtrojnë. Por, çfarë do të thotë vdekja, ajo kuptoi atëbotë kur rrugët ishin të mbushura me kufoma dhe aroma e rëndë e qelbjes kundërmonte në rrugë dhe era e kalbjes përhapej në ajër.

Nganjëherë Linda e bën nervozë nënën e saj lidhur me atë se ajo dëshiron edhe më tej një baba. Në përfytyrimin e saj babai është për atë që me veturë ta vozisë nëpër rrugë dhe në shkollë.

Se babai i saj i gjakut jeton ende, ajo nuk e di. Kur nëna e saj ishte në muajin e katërt të shtatzënisë, u nda prej tij dhe e martoi një tjetër, njerkun e Lindës, kujdestari i vdekur i familjes. Nëna e saj nuk dëshiron t´i tregojë asgjë asaj, ndoshta më vonë, ndoshta kurrë.

Njerku i Lindës ka lënë një fëmijë nga lidhja tij e parë. Ky djalë jeton në rrethinë të Mitrovicës. Lufta e ka çmendur nënën e saj. Disa thonë se ajo ishte e çmendur. Një herë ajo me sëpatë u drejtua kundër djalit të saj dhe sikur të mos ndërhynte në mes gjyshi i saj, ndoshta djali nuk do të kishte shpëtuar.

Linda e njeh atë nga shkolla, kur ai duhej të recitonte, pastaj ai belbëzoi, derisa nxënësit tjerë qeshën. Lindës i erdhi keq. Të paktën aq keq si “uli i vocërr”. Luli është figura kryesore e librit të saj të preferuar. Aty bëhet fjalë për një djalë, i cili është fëmijë bonjak, që nuk ka para dhe “ka kazmë”, siç thotë Linda. Ai ecë me atlete të shqyera përmes qytetit. Djemtë tjerë e ngacmojnë atë, ashtu siç është gati gjithandej, kur njeriu nuk mbath atlete të mira. “Në fund ata i dhuruan Lulit të vogël një palë këpucë atlete“, tregon Linda. Linda nuk ka qarë nga mallëngjimi, të paktën para bashkëshkollarëve të tjerë. “Unë ndihem e fuqishme dhe e godas secilin që ka diçka kundër meje”.

Linda ka qarë në shtëpi vetëm dhe për vete. Ndërkohë ajo mund ta thotë gati përmendsh librin. Ndoshta ajo gjen edhe ngjashmëri me Lulin. Banesa, në të cilën ajo jeton së bashku me motrën, gjyshen, nënën dhe motrën e saj, është e vogël.

“Nganjëherë unë dëshiroj që ne të ishim më pak”, thotë ajo.

Aty në korridor është liruar një banesë, e t. Gotiq, i cili ishte serb dhe është arratisur. Të dy dhomat e tij tashti u takojnë të tjerëve, familjes së Lindës.

Para nëntë muajve ajo kishte edhe një gjysh, i cili vdiq nga diabeti. Që prej atëherë Linda duhet që me gjyshen e saj të ndajë divanin në dhomën e ndejës. Dhe me vdekjen e mashkullit të vetëm në shtëpi ndërlidhet edhe rrëfimi për mjekun serb, i cili erdhi një ditë, para fillimit të luftës, rrëfim ky i cili u shndërrua në histori. Dhe Linda e ka mbajtur mend. Mjeku vizitonte gjyshin e sëmurë dhe kërkonte nga tërë familja që të flasin serbisht, ngase në të kundërtën nuk do t´i ofronte ndihmë gjyshit. Ndoshta Linda aty ka kuptuar se ka dallime mes njeriut nga njeriu dhe fqinji nga fqinji.

Ndoshta dallimi i është bërë i qartë, për shkak se e ëma kishte përsëritur këtë rrëfim disa herë para miqve të saj dhe në prani të Lindës. Kushedi, mjeku nuk ishte njeri i mirë e po ashtu aiishte serb.

“Serbët nuk janë të mirë, shqiptarët janë më të mirë”, thotë Linda. Por, çka është serbi? Linda mendohet, e më pas i kujtohet se ka edhe serbë të mirë, së paku një serb të mirë. Gjatë luftës, në shtëpinë e saj u futën policët. Në atë moment Alisa po i jepte gjirin motrës së vogël të Lindës. Policët kërkonin armë dhe shtynin nëpër dhoma nënën e re aq gjatë, derisa një serb iu tha: “Mjaft më!“. Ky ishte një serb i mirë.

Shpesh Linda përpiqet të harrojë këto kujtime. Megjithatë, ka një ëndërr të keqe.

“Çetnikët hyjnë në shtëpinë tonë dhe kërkojnë nga e ëma dhe motra ime që t’i ngrisin duart. Më pas vijnë francezët dhe sa herë që vijnë, zgjohemi nga gjumi“, thotë Linda.

Si do të vazhdoj më tej jeta e Lindës ? Natyrisht, ajo ka një cak: Amerikën. Çdo ditë, pas përfundimit të shkollës, ajo viziton të ëmën e saj në AMG (Advancing the Ministryof the Gospel). Është kjo organizatë e amerikanëve relegjiozë, të cilët në Mitrovicë kujdesen për fëmijët jetimë dhe për fëmijët me një prind. E ëma e Lindës pastron në AMG. Derisa ajo punon, e bija e saj qëndron ulur para televizorit dhe shikon filma amerikanë. Lydia, e bija e drejtorit të AMG-së, shpesh ulet pranë saj.

“„Ajo më flet shumë për Amerikën. Atje është mirë. Dëshiroj të shkoj atje”.

Krahas kësaj, Lydia i ka thënë se amerikanët janë shumë të pastër. Edhe njohuritë e anglishtesi ka marrë prej saj.

Linda “nuk“ gënjen, së paku jo shpesh, por nganjëherë megjithatë po. Ajo shpesh shokëve dhe shoqeve të saj u thotë: “Tashti do t´i përgatis rrobat e mia dhe do të nisem për në Amerikë“. Pastaj, ajo mbush një qese me rroba dhe largohet nga shtëpia. Shoqet dhe shokët e saj e shikojnë nga pas. Ajo ecë disa metra dhe përshëndet ushtarët e KFOR-it me “Goodbye“. Posa arrin në fund të rrugës, ajo kthehet prapa. Linda ende nuk e ka zbuluar rrugën që e shpien jashtë Mitrovicës. Për këtë ajo është ende e re. “Mirëpo, shoqet e mia janë gjithmonë ziliqare, kur unë largohem”!

Nga gjermanishtja: Sylë Ukshini (botuar në Javoren Politike Shqiptare – Zëri, në vitin 2003)

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it

Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it

Siguri
Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Lajme
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar

Kronika e Zezë
Kalo në kategori