Nga: Harilla Koci
Jeta e tij, ashtu sikundër edhe ajo e bashkëpatriotëve të tjerë, ka qenë tepër intensive, e mbushur me sfida. Qysh në fëmijëri është përballur me rrezikun ekstrem, por gjithçka ka kaluar. Një jetë me peripeci, me gëzime dhe hidhërime, me halle dhe ngjarje të bukura, ashtu siç është në fakt, jeta njerëzore. Por, për Jakoelin, pinjoll i një prej familjeve më të njohura të komunitetit hebre, jo vetëm në Vlorë po edhe në Shqipëri dhe më gjerë, jeta ka një vlerë edhe më kuptimplotë.
Ai nuk e reflekton aspak moshën. Është tepër energjik, i kthjellët dhe dinamik në bisedë. Ka punuar deri një vit më parë dhe ju desh të shkëputej nga puna (nuk e përmend fjalën pension), për shkak të ristrukturimit të kompanisë ku punonte në vendin e tij, në Izrael, në një fermë gjigande shpendësh. 60 vjet punë, nga viti 1959 kur përfundoi studimet për Veterinari në Universitetin e Tiranës dhe deri në shkurtin e vitit 2019 kur vendi i tij i punës si kontrollor veterinar, u shkurtua.
Jeta e Jakoelit është e ndarë mes tre shteteve: Greqisë, Shqipërisë dhe Izraelit. Dhe, mes tyre, periudha në Shqipëri është më mbresëlënësja. Megjithëse jeton në Izrael, për të Shqipëria mbetet vendi ku kaloi pjesën më të bukur të jetës, ku punoi me përkushtim, ku lidhi miqësitë, ku u përball me vështirësitë, ku dashuroi, ku krijoi familje, ku lindi fëmijët Rozana dhe Viktor, ku u zhgënjye dhe triumfoi, ku njohu njerëzoren, të keqen, të mirën, ku u formua si specialist, si shkencëtar në arritjet profesionale, ku punoi në disa ndërmarrje e institucione, ku u vlerësua me medaljet më të larta për kohë, ku mori gradën shkencore “Kandidat Shkencash”…
Për të Vlora mbetet qyteti i jetës së vet. Shkoi aty pak më shumë se gjashtë vjeç, në shkurt të vitit 1944, dhe u largua plot 47 vjet më vonë, në shkurt të vitit 1991. Duke lënë pas qytetin që i dha jetë, atij dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes, ku jetoi fëmijërinë, rininë, ku përjetoi emocionet e punës, një punë më shumë se tre dekadëshe.
“Ishte muaji shkurt i vitit 1944, kur ne mbërritëm në Vlorë nga Janina; ishim ne, tre vëllezër dhe nëna jonë, Ana. Babai, Isak Jakoel, na priste në Vlorë ku kishte shkuar për tregti dhe nuk kishte mundur të kthehej. Në fakt, rreziku për ne, komunitetin hebre në Janinë, ishte shtuar dhe, mundësia më e mirë për të shpëtuar nga përndjekja e gjermanëve ishte Shqipëria ishte Vlora, ku jetonte edhe xhaxhai Rafael Jakoel, një nga tregtarët më të njohur dhe një nga njerëzit më të pasur të Vlorës.
Me një pasaportë të falsifikuar në emrin e nënës, që kishte ndërruar identitet Xhovana Jakoelis, që na e kishte siguruar Haim Behorropullosi kundrejt pagesës, ne u nisëm drejt Vlorës. Nuk hasëm pengesa gjatë rrugës. Mbërritëm në këtë qytet, ku do të jetonim gjatë. U strehuam në një nga tre shtëpitë dykatëshe të xhaxhait tonë, Rafael Jakoel, së bashku edhe me hallën dhe bashkëshortin e saj, Eskian dhe Eliasaf Gani. Jetesa jonë në Vlorë ishte normale edhe në ato ditë të zymta të pushtimit gjerman. Ne nuk u larguam nga Vlora, ashtu si shumë bashkëkombës tanë që shkuan për t’u fshehur në fshatrat përreth, si në Trevlllazër, Poro etj., për t’u ruajtur nga ndonjë arrestim i mundshëm prej gjermanëve. Qëndruam gjatë gjithë kohës në shtëpi, të patrazuar nga askush. Babai Isak dhe xhaxhai Rafael Jakoel, kishin miqësi të ngushtë, shumë të afërt me parinë e asaj kohe në Vlorë.
Unë nuk mund ta them me siguri se nga vinte kjo situatë e parrezikshme për ne, por një gjë e them me bindje se askush nga hebrenjtë e Vlorës dhe të të gjithë Shqipërisë, nuk u denoncua tek gjermanët. Si në asnjë vend tjetër të botës, hebrenjtë e Vlorës dhe të Shqipërisë shpëtuan nga Holokausti gjerman, nuk u deportuan në kampet e përqendrimit siç ndodhi në vende të tjera. Dhe, kjo është meritë e shqiptarëve, e vlonjatëve, e bashkëqytetarëve tanë që na ndihmuan në ato ditë të vështira. Ne, u larguam nga Janina duke ndjerë rrezikun dhe erdhëm në Vlorë, ku gjetëm shpëtimin. Jetuam me vlonjatët, punuam dhe jetuam bashkë me ta për shumë vite. Këtu na gjeti edhe paslufta”.
Kështu e tregon Rafo Jakoel, gjithë momentin e ardhjes në qytetin e Vlorës dhe jetën gjatë pushtimit gjerman. Teksa shpreh mirënjohjen për bashkëqytetarët vlonjatë, për ndihmën dhe mbështetjen që u dhanë për të mbijetuar përballë rrezikut të asgjësimit nga pushtuesit gjermanë, ai flet për pjesën tjetër të jetës në Shqipëri, në qytetin e Vlorës, ku jetoi deri në vitin 1991.
Paslufta u duk se do të ishte e qetë për komunitetin hebre në Vlorë. Pas periudhës së frikës nën pushtimin gjerman, tregtarët ju rikthyen aktivitetit normal dhe synimit për të zhvilluar dhe zgjeruar më tej atë. Por, kjo nuk do të zgjaste shumë. Do të kalonin vetëm pak muaj pas çlirimit dhe pushteti i kohës do të miratonte Ligjin Nr.37 “Për tatimin e jashtëzakonshëm të fitimeve të luftës”, që u hapi rrugë veprimeve për të goditur tregtarët dhe njerëzit e pasur. Objekt i këtyre goditjeve ishin edhe tregtarët e pasur hebrej të Vlorës, mes të cilëve edhe Rafael Jakoeli, në biznesin e të cilit punonte edhe vëllai i tij, Isak, babai i Rafos.
“Na morën gjithçka, na nxorën edhe nga shtëpia e madhe në qendër të Vlorës. Xhaxhain Rafael e çuan në një banesë përdhese që frynte nga të katër anët, më keq se kasolle, në rrugën ‘Justin Godard’, ndërkohë që ne, tre vëllezërit, babai dhe nëna, u sistemuam me qera në një dhomë tek shtëpia e familjes Sallata, në qendër të qytetit. Pronari i kësaj shtëpie të madhe ishte Pal Sallata, babai i dy heronjve të luftës, Mitaq dhe Lef Sallata”.
Teksa përshkruan këto momente që përkojnë me vitin 1950-të, Rafo Jakoel i dridhet paksa zëri. Ishin muaj të vështirë për familjen, e cila kishte lënë pas një standard mjaft të mirë jetese, me një shtëpi të bollshme, për t’ju përshtatur kushteve të tjera të vështira, kur duhet të siguronin edhe mjetet e nevojshme financiare për të përballuar përditshmërinë.
“Ishim mjaft ngushtë, pesë vetë në një dhomë”, tregon 83-vjeçari.
Dy vjet pas kësaj zhvendosen në një banesë në kushte sërish të vështira, ku mungonte edhe uji dhe, më vonë, në një tjetër mjedis strehimi. Derisa secili prej fëmijëve krijoi familjen e vet dhe jetën e pavarur në banesa respektive, ndërkohë kishin hyrë gradualisht në rrjedhën e normalitetit. Babai, Isak Jakoel punoi si llogaritar në Arkën e Kursimit në Vlorë dhe më pas, në të njëjtin profesion në ish-Kombinatin e Peshkut. Vetë Rafo, me pasionin për t’u arsimuar, e vazhdoi këtë rrugë me këmbëngulje. Mbaroi shkollën e mesme në Gjimnazin “Ali Demi”, duke qenë brezi i katërt i maturës në këtë shkollë, shok klase me bashkëqytetaren Aneta Rama, nëna e kryeministrit Edi Rama. Pas kësaj i ndoqi studimet për Veterinari në Institutin e Lartë Bujqësor, të cilin e përfundoi në vitin 1959, kur nisi punë në këtë profesion në Fermën Bujqësore të Llakatundit.
“Ishte një periudhë intensive dhe mjaft tërheqëse për mua”, shprehet Rafo për ATSH-në, ndërkohë që thotë se dy vjet pas kësaj emërohet specialist në Seksionin e Bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit të Vlorës.
“Kisha miqësi me shefin e Seksionit, A. Dupi, i cili ndikoi për emërimin tim”, thotë burri që i kujton me nostalgji ato vite kur punonte me përkushtim dhe pasion.
Gjatë pothuajse 14 viteve punë në këtë detyrë, më 1962-1975, Rafo Jakoel iu përkushtua edhe kualifikimit akademik. Punoi për disertacionin dhe arriti të merrte gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” në veterinari, ndërkohë që në vite ndryshuan edhe detyrat. Punoi më tej në Kooperativën e Novoselës dhe së fundi në Ndërmarrjen e Shpendëve ose Pularinë e Vlorës, ku u emërua në detyrën e kryespecialistit. Këtu e mbylli edhe aktivitetin e tij profesional në Vlorë, deri në shkurt të vitit 1991, kur së bashku me familjen u largua përfundimisht drejt Izraelit. Por, për të këto vjet mbetën një periudhë e bukur, me emocione të mëdha, një margaritar në jetën e tij.
“Punova me përkushtim, me pasion, me ndërgjegje, jo si të isha në punën apo pronën e shtetit, por sikur të isha në pronën e babait. Por, megjithatë, pushteti i kohës ma vlerësoi këtë përkushtim dhe unë i jam mirënjohës, ashtu siç u jam mirënjohës gjithë miqve e shokëve në Vlorë, të cilët më mbështetën, siç u jam mirënjohës vlonjatëve”, thotë Rafo, ndërkohë që zëri i dridhet paksa.
Rafo është një prej dhjetëra hebrenjve të Vlorës që lanë pas aq shumë kujtime në këtë qytet. Që jetuan e punuan së bashku, që lidhën miqësi të forta dhe krushqi domethënëse, që përballuan me njeri tjetrin jetën, vështirësitë, që ditën të ndanin humanizmin e vërtetë nga mbrapshtitë e sistemit totalitar. Kjo e bën edhe më të bukur, më të fortë, më simbolike këtë bashkëjetesë që do të mbetet në kujtesën historike të Vlorës. Sepse, roli dhe kontributi i komunitetit hebre në këtë qytet është i pashlyeshëm. Këtu ata ruajtën dhe forcuan edhe zakonet e tyre të traditës, siç ishte ai i trashëgimit të emrave dhe që Rafo e sjell në bisedë me krenari, si element identiteti.
Komunikojmë përmes celularit në video në WhatsApp dhe dukemi sikur jemi përballë njeri-tjetrit në tavolinë. Unë, duke u përpjekur të fiksoj çdo gjë në memorie nga kjo bisedë dhe, ai i mallëngjyer teksa sjell ndër mend ato vite.
“Jam dekoruar dy herë me Urdhrin e Punës, vlerësimi më i lartë për kohën dhe unë i ruaj ato me shumë kujdes, si dëshmi dokumentare e një periudhe mjaft të rëndësishme për mua, ashtu siç ruaj çdo dokument që vërteton punën time”.
Rafo Jakoel nuk i fsheh emocionet teksa sjell këto kujtime nga Shqipëria, nga Vlora e tij, ku shkoi si gjashtëvjeçar dhe prej ku iku si 53-vjeçar. Aty u njoh me Mirelën dhe krijoi familjen e vet.
Është një jetë, janë kujtime që nuk mund të fshihen. Ato e emocionojnë, e prekin. Mban lidhje me shokë e miq në Vlorë, komunikon me ta sa herë në raste gëzimesh dhe hidhërimesh. Ndërkohë, nuk harron të thotë se edhe në vendin e vet, në Izrael, aty ku jeton prej pothuajse 30 vitesh, nuk e pati të lehtë. Ju desh kohë të përshtatej, të punonte, të lodhej, të sakrifikonte që të arrinte aty ku është sot – një qytetar i nderuar, ashtu siç ka qenë gjithë jetën e tij. Profesioni dhe arsimimi në Shqipëri i vlejtën edhe aty. Punoi si kontrollor veteriner në një ndërmarrje të madhe, ndër më të mëdhatë e llojit të vet në vend, një kombinat ku mbarështoheshin dhe përgatiteshin për nevojat e konsumit për treg, shpendë, pula dhe gjela deti. Prej aty çdo ditë shkonin për tregun 100 mijë pula dhe gjela deti, të mbarështuar sipas një teknologjie të veçantë, karakteristikë për Izraelin dhe unikale në botë.
“Punova deri një vit më parë, deri në moshën 82-vjeçare. Do kisha vazhduar akoma, por u ristrukturua vendi im i punës, për shkak se ndryshoi skema nga prodhimi, therja dhe dërgimi në destinacion”, thotë Rafo, me një buzëqeshje të lehtë.
Dhe, teksa i themi “mirupafshim” njëri-tjetrit, ai heq kufjet profesionale që e kishin ndihmuar të ishte më i përqendruar në bisedë.
“Mirupafshim Harilla, mirupafshim Vlora ime”, dëgjoj zërin e tij teksa humbet në ato qindra kilometra largësi.
Mirupafshim mik. Faleminderit që nuk e harroni Vlorën tonë, Vlorën tuaj. Që nuk lini rast pa përmendur dhe pa promovuar emrin e saj, njerëzit e saj të mirë e punëtorë, të besës dhe të fjalës, që ju gjendën pranë në momente të vështira të jetës tuaj. /atsh/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëHistoria e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
GJUHA SHQYPE
Fitorja e Trumpit do të ndryshojë Amerikën, por Evropa mund të ketë një tjetër të ardhme
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Parashqevi Qiriazi, Kongresi i Manastirit dhe “Himni i Alfabetit” me burim nga Kolegji Yale
Fjalimi i Skënderbeut!?
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian