LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj takon ministren Wallstrom: Suedia mbështetëse e madhe e Kosovës

Hoxhaj takon ministren Wallstrom: Suedia mbështetëse e madhe e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në drekë pune homologen e tij nga Suedia, ministren Margot Wallstrom, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Duke e falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, ministri Hoxhaj ka folur për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me Suedinë dhe zgjerimin e tyre në fushën e ekonomisë, ku ka përmendur në veçanti përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë.

Hoxhaj ka kërkuar nga homologia suedeze përkrahje në agjendën evropiane, përfshirë finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave pas plotësimit të kriterit të fundit, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe proceset e lobimit për njohje nga pesë vendet anëtare të BE-së.


“Kemi biseduar se si marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale t’i zgjerojmë në fusha të tjera, me fokus të veçantë në planin ekonomik, ku kemi përmirësuar dukshëm klimën e të bërit biznes. Po ashtu, kemi diskutuar në lidhje me koordinimin për mbështetje për Kosovën në zbatimin e agjendës evropiane”, ka thënë Hoxhaj.

Kryediplomati kosovar ka shprehur mirënjohjen për shtetin suedez për mikpritjen që ua kanë bërë popullit të Kosovës në periudhën gjatë luftës dhe për trajtimin e mirë të kosovarëve që jetojnë dhe punojnë në Suedi./Telegrafi/