LAJMI I FUNDIT:

Homoballkanikusi

Homoballkanikusi
Ilustrim

Qëkur kanë nisur bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ndërmjetësuesit deklaruan se do t’ua lënë palëve të gjejnë zgjidhje. Ky fakt, për njohësit e mirë të rrethanave dhe të atyre që janë në pushtet, thotë: “Mos mendoni që do të shihni marrëveshje ndonjëherë”!

Pa asnjë dyshim, këtë e kanë ditur ata në Bruksel, shumë më mirë se akterët e bisedimeve. Sepse, shkuan tetë vjet! Si sot, si para fillimit të bisedimeve, dëgjohen e shkruhen fjalët e njëjta. Brukseli kështu i ka prirë ato, mbase me këtë qëllim: “T’i lëmë të bisedojnë, sepse nuk arrijnë kurrë asnjë marrëveshje dhe kështu me dekada mëditjet do të ecin lumë”.

Të gëzuar pra ishin ata që qenë ngarkuar si ndërmjetësues. Kush nuk e ka parë këtë ndër këto vite, duhet të shkojë për shërim të syve dhe…!?


Ballkanasit mund të bashkëpunojnë mirë vetëm në fushën e krimit të organizuar dhe të kontrabandës. Këtë e dinë të gjithë, por jo edhe ata që nuk duan ta dinë. Në kufij ka doganë për çdo mall, por jo për drogë dhe mallra kontrabandë.

Askush të mos harxhojë kohë për ndonjë analizë tjetër. Gjithçka është e njohur. Pushtetarët në Serbi dhe në Kosovë janë të zgjedhur nga Brukseli për të mos arritur marrëveshje. Fundi i fundit, kujt i duhet marrëveshja. Këta tipa nuk mund ta imagjinojnë marrëveshjen e obligueshme ligjore. Sepse, Homoballkanikusi ka tiparet e një njeriu problematik, të cilin e njohin mirë në Bruksel.

Ky tip njeriu nuk e mban fjalën asnjëherë dhe mbetet i paparashikueshëm. Po ashtu, ky tip paguan shuma të mëdha parash për ta rritur namin e vet. Nga një askush, sa hap e mbyll krijohet miti.

Pjesa më errët e këtij tregimi është ajo e bashkëpunimit të Homoballkanikusit në fushën e krimit dhe për këtë ai gjen rrugë e mënyrat nga më të paimagjinueshme. Kur bëhet fjalë për leverdi dhe përfitime personale, ky tip nuk njeh përkatësi nacionale, racore a religjioze të viktimës.

Krekosjet dhe lëvdatat personale të tij nuk kanë kufij, megjithëse, lavdet që ia thur vetës janë krejt rrena.

Kur vendoset në pozitë, ai përdor çdo mjet për të denigruar pararendësit. E, nuk e ka dert fare pse nuk i beson askush!

Këta tipa, gjithmonë ëndërrojnë çka do të përfitojnë nga konflikti tjetër, megjithëse e dinë mirë se nga kjo formulë gjithmonë kanë dalë humbës.
Në Ballkan kurrë nuk mungojnë shkaqet dhe arsyet për një konflikt të ri. Në një kohë kur shumë popuj të botës vuajnë nga etja, Homoballkanikusi mendon si do t’ua ndalojë ujin fqinjëve, si t’ua ndryshojë rrjedhën e natyrshme lumenjve. Vendet e Ballkanit pësojnë nga vërshimet çdo vit, mirëpo, posa kalon rreziku, ky problem harrohet. Mundësia e bashkëpunimit për menaxhimin e burimeve të lumenjve as që mund të ëndërrohet.

Këta tipa vazhdimisht krijojnë probleme të cilat shumë shpejt u dalin nga dora dhe kur marrin përmasa fatkeqësie, ndërhyrja e faktorit të jashtëm bëhet e paevitueshme. Si zakonisht, me rëndësi për këta lugatë është dëmtimi i fqinjit me çdo kusht. Ndërsa, asnjëherë për asnjë pushtues nuk ishte problem marshimi fitimtar në Ballkan dhe gjetja e bashkëpunëtoreve të mjaftueshëm – edhe te serbët edhe te shqiptarët. Gjithë kufijtë që i shohim sot në Ballkan janë rezultat i ndërhyrjeve të jashtme të superfuqive.

Homoballkanikusi nuk njeh aftësi, por dredhi. Martesat e përziera që dihen botërisht, i kamuflojnë me trillime të pabesueshme dhe përpiqen t’i mohojnë, krejt nga krenaria kombëtare e cila realisht iu mungon. Indikacione të çuditshme vërehen nëpër takime liderësh te vendeve të Ballkanit dhe aty syri dhe mendja e mprehtë mund të shohë sjellje e shprehje karakteristike të Homoballkanikusit, por me këtë temë nuk merren mediat vendore, pasi shumica janë të varura nga akterët aktualë politikë.

Homoballkanikusi kur s’ka çka rren për veti, puth flamurin kombëtar dhe kështu ia mbyll gojën masës që i duartroket, pa kuptuar fare çka tha lideri.

Edhe Homoballkanikusi i niveleve më të ulëta të shoqërisë, dallohet me një zinxhir ari a bizhuterie rreth qafe, ndërsa në dorë mban çelësa të një makine Mercedes dhe së paku dy telefona celularë të tipit të fundit. Ai gjithmonë ka synim t’i bie në sy ndonjë femre rasti, e cila edhe pa folur me të ka për të parë se me kë ka punë. Kështu, sipas një ankete, studiuesit gjermanë kanë vërejtur se mashkulli ballkanas lexon fare pak, por filozofon shumë. Duket i pavendosur, por rrenat nuk i ndal. Në ketë studim po ashtu thuhet se ky tip mashkulli ka origjinë nga kthesat e shpeshta politike dhe është formuar në rrethana të dyshimta. Rruga e formimit të tij në të shumtën e rasteve është jolegale dhe rrjedhë nga ndonjë rreth kriminal.

Ata veshin “fansi gardërobë” dhe paraqiten si meshkuj modern, megjithëse prezantimi i tyre para gjinisë tjetër ka mbetur fort mbrapa, në të kaluarën. Veshin rroba të ngushta, në mënyrë që t’u dallohet çdo pjesë e trupit. Zakonisht, këta tipa duart i mbajnë ne xhepa dhe i nxjerrin vetëm kur hanë bukë!

Homoballkanikusi…