U përkujtuan Arben Xheladini dhe Mon Balaj, të vrarë nga policia e UNMIKU-ut në protestën e 10 shkurtit 2007 të Lëvizjes Vetëvendosje kundër pakos së Ahtisarit për statusin e Kosovës, raporton KosovaPress.

Në këtë përvjetor, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvemdosje Albin Kurti dhe anëtarësia e kësaj partie bënë homazhe para pllakës përkujtimore të Arben Xheladinit dhe Mon Balajt.


Kurti tha se UNMIK-u doli për t’i vrarë në protestën e 10 shkurtit 2007.

“Në atë protestë ne po kundërshtonim pakon e ish- emisarit për statusin e Kosovës si një kompromis që shënon padrejtësi për popullin tonë dhe për të drejtat tona. Edhe vetë Ahtisaari ka thënë që propozimi i tij është kompromis dhe ishim të bindur se ishte i madh… Ishim për partneritet me ndërkombëtarët, por jo për servilitet karshi tyre. Dëshironim në Kosovë të vendos Kuvendi, Qeveria dhe presidenti”, tha Kurti.

Kurti kujtoi edhe si ndodhi vrasja e dy aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe se si u lënduan 84 protestues.

“Këtu ku jemi tani u bllokua marshi ynë dhe menjëherë filloi gazi lotsjellës që bëri të vështirë të njohim njëri-tjetrin, lëre më të shohim kush ku është. Policia e UNMIK-ut filloi me plumba gome të skaduar prej 11 vjetësh, kryesisht në kokat dhe gjokset e tyre. 232 plumba 8 sekonda pas gazit atëherë kur pak çka dukej mirë. E vranë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn, u lënduan 84 protestues. Edhe vetë UNMIK-u e ka pranuar fajin, mirëpo pavarësisht që kanë pranuar fajin, konkretisht nuk është zbatuar përgjegjësia se ikën në emër të imunitetit ndërkombëtar”, shtoi Kurti.

Kurti tha Arben Xheladini dhe Mon Balaj janë kujtimi i tyre i përhershëm.

“Arben Xheladini dhe Mon Balaj janë dëshmorë të vullnetit për liri, ashtu siç shkruan në pllakë dhe ata janë kujtimi ynë i përhershëm në themelet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kapitujve që pasuan në ngritjen tonë në shërbim të popullit shqiptar dhe shtetit të Kosovës. E vranë Arbenin dhe Monin, mirëpo lindi diçka e pandalshme që është mishërim i vullnetit të popullit dhe përparimit të tij të vazhdueshëm”, shtoi Kurti.

19 vjet më parë, Lëvizja Vetëvendosje, që asokohe nuk funksiononte si parti politike, kishte organizuar një nga protestat më të mëdha që nga paslufta për të kundërshtuar negociatat e Kosovës me Serbinë dhe kundër Pakos së Ahtisarit. Më 10 shkurt të vitit 2007 në këtë protestë u vranë Mon Balaj dhe Arben Xheladini, të dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje./KP/