Një shqiptar është burgosur për një vrasje që ka ndodhur mbi 3 dekada më parë në Sydney të Australisë.
Martin Dukagjini, tashmë 65-vjeç, mbyti dhe më pas goditi me sende të forta Tatiana Sokoloff në vitin 1986.
Shqiptari kishte mundur t’u shpëtonte autoriteteve për 33 vjet, por në pranga ra në vitin 2019 pas analizave të thelluara të ADN-së, pasi tre pika gjaku të tij u gjetën në pantallonat e pizhameve të Tatiana Sokoloff-it.
Viktima ishte lektore e italishtes në Universitetin e Sydney-t, ndërkaq gjykata e dënoi shqiptarin në Nëntor pas seancave të shumta gjyqësore.
Ai do të vuajë 20 vjet burg pa pasur të drejtë që të dalë me kusht për një periudhë 13-vjeçare.
Lektorja 56-vjeçare u vra në shtëpinë e saj, derisa kujdesej për nënën e saj, Klaudian, e cila ishte e shurdhër.
Hetimet kanë zbuluar se Dukagjini kishte shkuar në shtëpinë e saj për të grabitur. Por ajo e ka pikasur. Në panik e sipër shqiptari e ka vrarë. Ai e ka mbytur me një kordon elektrik dhe më pas e ka goditur me një copë druri duke e lënë të vdekur në dysheme.
Në atë kohë policia dështoi që të identifikonte autorin pavarësisht hetimeve që kanë qenë të shtrenjta për kohën. Tregtarë, fqinj, kolegë, studentë, por edhe biznesmenë të cilëve viktima u kishte blerë bizhuteri dhe sende antike u vunë nën hetim.
Megjithatë asgjë nuk dilte në dritë. Pavarësisht shenjave të gjakut dhe provave të tjera, në vitin 1986 ishte i pamundur realizimi i testeve të ADN-së. Por më vonë u krahasuan shenjat e gjakut të gjetura në pizhamet e viktimës, oborr dhe copën e drurit të përdorur në vrasje. Ato ishin të ngjashme me atë të Dukagjinit.
Në atë kohë, shqiptari ka kryer herë pas here grabitje dhe për këtë arsye ka shumë precedentë penalë. Për këtë arsye shqiptari ka një dënim në vitin 1990.
Ai jetonte 3 kilometra larg banesës së Sokoloff. Sipas mediave Dukagjini ishte larguar nga Shqipëria në vitin 1976, kur këtu ishte ende regjimi komunist. Në atë kohë ai ishte zhvendosur në Australinë Perëndimore dhe ishte vetëm 24 vjeç. Shqiptari nuk kishte asnjë profesion.
Nga ky moment ai bëhet grabitës banesash./tvklan.