LAJMI I FUNDIT:

Hilmi Gashi: Neve na duhet një kulturë e cila bazohet në formulën “ne së bashku”

Hilmi Gashi: Neve na duhet një kulturë e cila bazohet në formulën “ne së bashku”

Intervistë ekskluzive me z. Hilmi Gashi, Kryetar i Parlamentit në Muri – Gümligen të Kantonit të Bernit

Intervistoi: PhD. Dashnim Hebibi

„Partia e gjelbër më besoi mua detyrën dhe më propozoi. Parlamenti ynë ka 40 deputetë. Në mbledhjen e parë më 21 janar 2025 ishin prezentë 39 deputetë dhe deputete, të cilët pastaj me votë unanime, me një abstenim nga unë, më besuan udhëheqjen e parlamentit. E drejta e votës është e garantuar dhe nuk bën të kufizohet. Plus ndikimet politike, si atje, ashtu edhe këtu, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën tonë, këtu dhe atje. Pastaj duhet t’ua përkujtojmë edhe zviceranëve: Zvicra, për shembull, investon shumë burime financiare që të ruaj lidhjet me mërgatën e saj jashtë vendit. Mbi 700’000 shtetas zviceranë jetojnë jashtë vendit. Ata njihen në gjuhën përkëdhelëse si “Zvicra e pestë”. Përveç se kanë të drejtë vote për çdo zgjedhje apo referendum që mbahet në Zvicër, ata kanë edhe parlamentin e tyre, i cili mbahet tri herë në vit dhe njihet si “Parlamenti i Zvicrës së Pestë”. Kundrejt institucioneve, ata përfaqësohen edhe nga një grup parlamentar i Kuvendit të Zvicrës“, na njofton ndër të tjera z.Gashi.


Gashi, ju falënderojmë për kohën që po ndani për këtë intervistë! Pa dyshim se është një super lajm për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Zvicër, dhe jo vetëm, për arritjen e madhe që do ta drejtoni Parlamentin në Muri- Gümligen të Kantonit të Bernit.

Gashi, ju njohim si veprimtar të madh. Kurrë nuk jeni ndalur. Sinqerisht, e keni menduar se një ditë do të arrini në këtë detyrë?

Faleminderit për urimin! Se do të bëhem ndonjëherë kryetar i një parlamenti, as që e kam ëndërruar, por edhe nuk e kam synuar. E më së paku i një parlamenti në Zvicër. Por, ja që ndodhi. Në fjalën time hyrëse, menjëherë pas zgjedhjes, mes tjerash, kam thënë se kush e kish besuar para mbi tri dekadash se një i ardhur nga një vend jo aq i largët, por vend i huaj, i cili ka kaluar nëpër barrierat e ndryshme me leje qëndrimi prej punëtori stinor me lejen e përkohshme A, lejen B dhe C e deri te pasaporta zvicerane, do të udhëheqë prej sot për një vit parlamentin e Komunës Muri-Gümligen?! Unë jo.

Si vendosët që të konkurronit për këtë detyrë?

Vendimi apo më shumë zgjedhja si kryetar i parlamentit është pjesë e rrugëtimit dhe angazhimit politik dhe qytetar në komunën ku jetoj me familjen time. Në nëntor të vitit 2020 jam zgjedhur deputet për periudhën 2021-2024 si kandidat i partisë së gjelbër. Partia jonë, më e reja në Muri-Gümligen, në ato zgjedhje i fitoi pesë vende, që në vete ishte sukses i madh. Si grup parlamentar na duhej të merrnim më shumë përgjegjësi për punë nëpër komisione dhe organe të parlamentit. Unë u angazhova në komisionin për financa dhe komisionin regjional. Pas një viti, partia jonë duhej të propozonte edhe një nënkryetar të parlamentit dhe ky post mu ofrua mua. Në zgjedhjet e vitit të kaluar për mandatin e ri katërvjeçar u rizgjodha si deputet dhe me këtë edhe u hap rruga për kandidaturën si kryetar të parlamentit. Partia e gjelbër më besoi mua detyrën dhe më propozoi. Përpara se të them po kandidaturës, e kam pyetur veten a do të jam në gjendje të udhëheqë parlamentin në mënyrë profesionale, të jam korrekt me të gjitha partitë politike dhe a jam i denjë të mbaj titullin “më i larti i Muri-Gümligen”, shprehje kjo që tradicionalisht përdoret në Zvicër për kryesuesit e Parlamenteve. Sepse parlamenti është organi më i lartë dhe kryesuesi i parlamentit merr titullin “Më i Larti i komunës, kantonit apo konfederatës. Këtë proces e kam biseduar edhe me familjen time, sepse për këtë punë lypet edhe kohë, e cila pastaj të mungon me familjen. Ata më kanë mbështetur moralisht dhe më kanë motivuar të them po.

“Parlamenti ynë ka 40 deputetë. Në mbledhjen e parë më 21 janar 2025 ishin prezentë 39 deputetë dhe deputete, të cilët pastaj me votë unanime, me një abstenim nga unë, më besuan udhëheqjen e parlamentit”.

Po sigurisht se ka edhe shqiptarë në atë pjesë. Sipas asaj që ju keni kuptuar duke bashkëjetuar me komunitetin tonë, cila është kërkesa e tyre kryesore?

Kërkesat janë të njëjta sikurse në të gjitha komunat. Dhe ato janë bile edhe të ngjashme me kërkesat themelore të njerëzve kudo: infrastrukturë e mirë, cilësi të mirë jetese, shkolla të mira, një administratë funksionale, e cila ofron shërbime të mira për të gjithë, shërbime tjera shoqërore, si spitalet, përkujdesja për të moshuarit, mbështetje të shoqatave të shumta, ambient të pastër dhe cilësi të lartë të jetesës. Muri-Gümligen është komunë mjaft e pasur dhe ka mjete për të siguruar një cilësi të lartë të jetesës. Një prej problemeve më të mëdha është banimi dhe çmimet e larta të qirave. Për fat të keq, një nismë popullore në nivel komunal për çmime të përballueshme të banimit, është refuzuar nga votuesit. Por, pasi që mbi 18 përqind e popullatës nuk ka të drejtë vote, atëherë besoj se ka votuar vetëm shtresa e privilegjuar.

Një prej problemeve më jetike që e shoh te të gjithë migrantet dhe migrantët, e këtu nuk përjashtohen edhe banorët shqiptarë pa nënshtetësi zvicerane, është mungesa e sigurisë së qëndrimit. Ligji i ri mbi të huajt, i rrezikon lejen e qëndrimit secilit të huaj, nëse ai apo ajo është e varur pjesërisht ose tërësisht nga ndihma sociale. Edhe nëse personi punon 100 përqind, por të ardhurat nuk mjaftojnë për të siguruar një ekzistencë në dinjitet. Kjo shkakton pasiguri dhe huti. Këtu duhet pa se çka mund të bëj komuna, që kjo pasiguri të zbutet.

Sa banorë i ka Muri- Gümligen?

Muri-Gümligen ka 13.100 banorë. Prej tyre, 18 përqind janë banorë pa pasaportë zvicerane.

Ka ndonjë shqiptar parlamentar?

Jo, deri tash vetëm unë. Por, shpresoj se do të më bashkëngjiten edhe të tjerë.

Cili është plani juaj kryesor që do ta realizoni gjatë këtij mandati?

Detyra kryesore e kryetarit të parlamentit është të kujdeset që puna parlamentare, dhe mbledhjet e parlamentit të shkojnë mbarë dhe të respektohet agjenda. Në parlament debatohet dhe sillen vendime të shumta, andaj edhe përgjegjësia është e lartë, sepse vendimet e marra ndikojnë në jetën praktike të njerëzve. Andaj, respektimi i kushtetutës së komunës, rregullores së kuvendit janë shumë të rëndësishme. Që këto seanca të kuvendit të shkojnë mbarë, duhet të bëhen përgatitjet e duhura me zyrën e parlamentit.

Gjatë mbledhjeve dua të jem korrekt, transparent dhe të respektoj të gjitha grupet parlamentare dhe fraksionet politike. Sa i përket mbledhjeve të kuvendit, unë, si kryetar, mund të krijoj kornizat e mira për një dialog dhe punë konstruktive, por edhe deputetët kanë përgjegjësi të madhe, që debatet të mbahen në frymën e respektit dhe mirësjelljes. Që të mbrosh qëndrimet dhe bindjet tua politike, nuk do të thotë se duhesh të jesh i vrazhdë me kundërshtarin politik. Nëse një deputet i tejkalon rregullat e mirësjelljes, atëherë duhet që unë të ndërhyj. Unë gjithmonë nisem nga ajo, se vetëm me argumentet bindëse fitohet vota-edhe në parlament. Që të arrihet kjo duhet të ketë edhe gatishmëri të dëgjohen me vëmendje argumentet dhe të peshohen mirë, edhe nëse vijnë nga kundërshtari politik.

Përveç udhëheqjes së mbledhjeve të parlamentit, kryetari i parlamentit ka detyrë përfaqësuese. Dhe këtë mandat dua ta shfrytëzoj të bëj të dukshëm edhe shtresën e cila nuk është e privilegjuar. Më parë e thashë se diku 18 përqind e banorëve të Muri-Gümligen nuk kanë të drejtë vote. Ata paguajnë tatime, por nuk kanë të drejtë të bashkëvendosin, se si përdorën këto para të grumbulluara nga taksat. Këtu është me rëndësi të kërkohet nga gjithë qytetarët të kenë qasje në vendimmarrje apo participim në shoqëri dhe demokraci.

„Na duhet një kulturë e cila bazohet në formulën “ne së bashku”“

Edhe pse komuna jonë është e pasur, ka shumë njerëz, të cilët punojnë me orar të plotë, por pagat i kanë të ulëta dhe ato nuk mjaftojnë për të çuar një jetë të denjë.

Një temë tjetër është shumëllojshmëria apo në gjuhën e përditshme diversiteti shoqëror. Unë dua ta bëj të dukshëm këtë “diversitet”. Në komunën tonë jetojnë dhe kontribuojnë njerëz nga tërë bota, por ata nuk janë të dukshëm. Për shembull, administrata nuk është pasqyrë e këtij diversiteti. Ajo është shumë homogjene në krahasim me popullatën, e cila është heterogjene. Një administratë kështu homogjene nuk është reprezentative dhe duhet menduar të bëj reforma, që vendet e punës të jepen edhe sipas kritereve të diversitetit. Unë jam i bindur se parakusht i rëndësishëm që një bashkësi të funksionoj mirë, të ketë përparim dhe të ketë cilësi të jetës, është përfshirja e barabartë e të gjithë qytetarëve në debat, vendimmarrje dhe bartje të përgjegjësisë. Neve na duhet një kulturë e cila bazohet në formulën “ne së bashku” dhe jo aq shumë në ekskluzivitet.

Si e shihni gjeneratën e re shqiptare që po lindë e po rritet në Zvicër?

Gjenerata e re është shumë e mirë, e angazhuar dhe e suksesshme, si në rrafshin e synimeve dhe të arriturave personale, ashtu edhe në formimin e strukturave dhe vlerave kolektive. Qoftë nëpër universitete, shkolla, spitale, industri, ndërtim, përkujdesje, si punëtorë, ekspert apo edhe si ndërmarrës, por edhe si të angazhuar politik dhe të punësuar nëpër institucione të ndryshme të Zvicrës. Mërgimtarët në Zvicër, në përgjithësi, janë pjesë e suksesit dhe të arriturave të këtij vendi, jo vetëm në ekonomi dhe sport, por edhe në politikë, kulturë në sindikata dhe shoqata të ndryshme. Në kontaktet dhe bisedimet e shpeshta me të rinjtë kam pa se ata i vlerësojnë dhe u janë mirënjohës gjeneratës së parë.

Ata u janë falënderues gjyshërve dhe prindërve, të cilët kanë punuar dhe jetuar në kushte shumë të rënda si “Gastarbeiter”, për të siguruar kafshatën e gojës për familjet e tyre në vendin e prejardhjes dhe pas bashkimit familjar edhe të familjeve këtu. Kjo gjeneratë e artë është sfiduar me shumë pengesa. Përveç punës së rëndë, ndarjes nga familjet dhe mallit për të afërmit e tyre, ata kanë hasur në vështirësi strukturore, ekonomike, shoqërore, duke u përballur edhe me paragjykimet dhe racizmin e hapur ndaj tyre dhe ka treguar se mund të ecet përpara. Më kujtohet sa e kam admiruar Osman Osmanin, kur kam dëgjuar se është deputet në Kanton të Shafhauzenit. Pa e njohur atë në atë kohë personalisht. Këso figurash kanë thyer akullin dhe hapur rrugë dhe kanë motivuar shumë të rinj. Sot kemi një realitet të ri.

Është fat i madh që Zvicra nuk ngushton ambiciet e të rinjve të huaj për të arritur suksese. Shpresoni se në një të ardhme të shpejtë do të kemi edhe më shumë kryesues nëpër komuna të ndryshme të Zvicrës dhe drejt në parlamentin e shtetit?

Me pjesën e parë të konstatimit nuk pajtohem në tërësi. Edhe pse kisha pasur dëshirë të jetë kështu. Ka ende paragjykime ndaj njerëzve, të cilët nga shoqëria shumicë identifikohen apo vlerësohen si të huaj. Këtu nuk përjashtohemi as ne si komunitet. Ndaj të huajve ekzistojnë mjaft pengesa, qoftë strukturore, ligjore apo edhe ekonomike. Hulumtime të ndryshme shkencore tregojnë se ka paragjykime për shkak të emrit, ngjyrës së lëkurës, por edhe gjinisë, orientimit seksual dhe përkatësisë fetare. Rastet kur fëmijët me sfond të migracionit në procesin e seleksionimit vlerësohen më ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre, janë realitet i hidhur. Për fat të keq ligjet për të huajt sa vijnë e përkeqësohen, edhe si pasojë e një debati polemik dhe ksenofobik. Është bë gati normalitet që për problemet e ndryshme, të cilat vijnë si pasojë e ndryshimeve ekonomike, sociale, të banimit apo shkollimit të fajësohen migrantët. Kjo polemikë, për fat të mirë nuk vërehet fort në politikën komunale te ne në Muri-Gümligen. Ndoshta ky kjo është edhe arsyeja, se pse ne si komunë jemi shumë e suksesshme. Për probleme mundohemi të gjejmë zgjidhje dhe jo të fajësojmë dikë.

“Pastaj e drejta e votës, e pjesëmarrjes në vendime demokratike dhe politike është e kufizuar. Edhe nëse je i lindur, rritur, shkolluar këtu, nuk e ke lehtë të marrësh nënshtetësinë”

Ndonjëherë mendoj se gjenerata e ndryshme të mërgimtarëve nuk janë të suksesshëm vetëm për shkak të kushteve të mira apo shanseve të ofruara, por përkundër pengesave të shumta. Në biseda me mërgimtarët më bie të dëgjoj se u është dashur të janë shumëfish më të mirë, më të kualifikuar, më të angazhuar, për të marrë të njëjtën përgjegjësi, vend pune apo detyrë sikurse bashkë-qytetarët e tyre autoktonë. Kjo qasje në privilegje nuk është e lehtë dhe e pengon zhvillimin personal të të rinjve dhe i bën dëm shoqërisë. Tash te pyetja se a do të ketë në të ardhmen më shumë kryesues nëpër komuna, kantone dhe federatë, varet nga rrethanat politike, angazhimi personal dhe përgatitja profesionale, por edhe nga gatishmëria e partive për të propozuar për poste të rëndësishme njerëz me sfond migracioni. Në fund vendos edhe popullate me të drejtë vote, se kujt ia beson mandatin. Ndonjëherë lypet edhe të kesh fat të jesh person i duhur, në vend të duhur dhe kohë të caktuar.

Nga mërgata jonë kemi disa shembuj të suksesshëm si në nivel komunal, ashtu edhe në atë kantonal dhe nacional. Me Ylfete Fanaj, Ministre Kantonale në Luzern, Islam Alijaj, Deputet Nacional. Në nivelet komunale dhe kantonale kemi edhe drejtuese të departamenteve, si për shembull Emsale Selmani, në Ostermundigen në kanton të Bernës. Tash kemi edhe shumë deputete dhe deputetë të të gjitha partive nëpër komuna, kantone të Zvicrës. Shpresoj se tash edhe të rinjtë e shohin se mundësitë janë, por se duhet të janë të gatshëm të investojnë kohë dhe dije.

„Mërgata është e lidhur ngushtë me vendin e prejardhjes“

Gashi, duke ju njohur si veprimtar të dalluar, si e shihni politizimin e diasporës sonë? E kam fjalën për në atdhe?

Diaspora jonë, sa e mbaj mend unë, gjithmonë ka qenë politike. Në fillim e angazhuar për liri, barazi dhe të drejta të popullit në vendlindje, sidomos për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme në rrethana shumë të vështira. Ky angazhim politik dhe aktivitetet e shumta kanë ndikuar në të gjitha zhvillimet pozitive për shembull për Kosovën, e cila sot është e lirë dhe shtet sovran, i cili po forcohet nga dita në ditë. Kjo politikë sot është e përqendruar në forcimin e zhvillimeve demokratike dhe ekonomike të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe për ngritjen e çështjes së të drejtave të shqiptarëve në pjesën e administruar nga Serbia dhe Republika e Maqedonisë Veriore.

Gjithmonë duke përfituar prej rrjeteve trans-nacionale dhe përvojave dhe mentalitetit të ngjashëm. Pa marrë parasysh bindjet dhe idetë politike, mërgata është e lidhur ngushtë me vendin e prejardhjes, jo vetëm në aspektin emocional, por edhe praktikisht me investime, prona në vendlindje, lidhjet familjare, etj. Sidomos gjenerata e parë. Por edhe ajo e dyta. Një aspekt, i cili shpesh harrohet është edhe fakti se ne kemi qytetarë, të cilët kanë vetëm nënshtetësi të vendit amë dhe kanë nevojë për mbështetje nga institucionet e shtetit të tyre. Pastaj shtetet rregullojnë marrëdhëniet mes veti me marrëveshje bilaterale. Një shembull më i ri është ai për pensione. Nëse del në pension dhe do të kthehesh në vendlindje, duhet të kesh të drejtën e pensionit atje. Po nuk pati marrëveshje, atëherë detyrohesh të qëndrosh këtu.

Apo edhe marrëveshja për evitimin e tatimit të dyfishtë. Me këta shembuj dua të tregoj se ka raste kur preken interesat tanë dhe se ka nevojë të interesohemi dhe të jemi më aktivë në realizimin e të drejtave tona si qytetarë në Zvicër, por edhe përballë institucioneve të vendeve tona të origjinës. Kjo tash po ndodhë dhe nuk duhet të shihet si diçka e keqe.

„Mbi 700’000 shtetas zviceranë jetojnë jashtë vendit“

E gjithë energjia jonë që jetojmë në Zvicër, do të ishte më mirë të investohet në politikën zvicerane?

Këtë e kam dëgjuar shpesh, si nga njerëz këtu, po ashtu edhe nga njerëz nga trojet tona dhe në shikim të parë më duket një vërejtje me vend. Po e them në shikim të parë. Holl e holl, ky koncept nuk më duket real dhe jo edhe i sinqertë dhe atë për disa arsye. Njërën prej arsyeve e gjeni edhe në përgjigjen paraprake. Dhe kjo më duket shumë e rëndësishme të kuptohet si këtu, ashtu edhe në Kosovë e gjetiu. E drejta e votës është e garantuar dhe nuk bën të kufizohet. Plus ndikimet politike, si atje, ashtu edhe këtu, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën tonë, këtu dhe atje.

Pastaj duhet t’ua përkujtojmë edhe zviceranëve: Zvicra, për shembull, investon shumë burime financiare që të ruaj lidhjet me mërgatën e saj jashtë vendit. Mbi 700’000 shtetas zviceranë jetojnë jashtë vendit. Ata njihen në gjuhën përkëdhelëse si “Zvicra e pestë”. Përveç se kanë të drejtë vote për çdo zgjedhje apo referendum që mbahet në Zvicër, ata kanë edhe parlamentin e tyre, i cili mbahet tri herë në vit dhe njihet si “Parlamenti i Zvicrës së Pestë”.

Kundrejt institucioneve, ata përfaqësohen edhe nga një grup parlamentar i Kuvendit të Zvicrës. Por, edhe shtetasit e vendeve tjera, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, si portugezët, spanjollët, maqedonasit, italianët, etj. gëzojnë të drejtën e votës për zgjedhjet në vendet e tyre. Arsyeja e fundit ka të bëjë edhe me faktin se jo të gjithë qytetarët shqiptarë kanë të drejtë vote në Zvicër. Pse atyre tu mohohet e drejta e votës, kur kjo është në prej të drejtave themelore të njeriut.

Mendoni se diaspora jonë nga atdheu po shfrytëzohet, vetëm kur po afrohen zgjedhjet?

Në përgjithësi jam njeri optimist dhe e shoh, së pari të mirë, por edhe mangësitë më bien në sy dhe më brengosin. Edhe ato i bëjë temë kur të me jepen mundësitë, si në kontakt të drejtpërdrejta me personat përgjegjës, në politikë apo administratë, por edhe në angazhimet në shoqërinë civile këtu dhe atje. Kur është fjala te përkushtimi ndaj nevojave të diasporës, shoh shumë përmirësime. Tash disa çështje administrative nëpër komuna të vendit i kryejmë më lehtë. Pritja për mërgimtarët në kufi – kur hyjmë në vendet tona- nga personeli i doganave është korrekte dhe procedurat kryhen në mënyrë profesionale. Institucionet shtetërore kanë hapur ambasadat dhe konsullatat. Ato bashkëpunojnë ngushtë me qytetarët dhe ofrojnë shërbime të shumta.

Qytetarët e vendeve tona përballen me sfidën e votimeve nga jashtë. Kosova në këtë pikëpamje ka bërë më shumë se shumica e shteteve të Evropës Juglindore. Me mundësinë e votimit nëpërmjet postës në mërgatë dhe nëpër ambasada dhe konsullata, madje ia ka kaluar edhe disa vendeve të BE-së.

Natyrisht se ka vend edhe për shumë përmirësime. Aty ku preken interesat e mërgatës duhet të dëgjohet mërgata. Te marrëveshjet bilaterale nuk kam dëgjuar se është pyetur mërgata se çka do të kishte dashur ajo: si te marrëveshja për pensione, te ajo për tatimin e dyfishtë apo tash te marrëveshja për tregtinë e lirë mes Kosovës dhe shteteve të EFTA. Ekspertët dhe potenciali i diasporës, sidomos në temat, të cilat i prekin interesat e tyre, duhet patjetër të merren para sysh.

Mospërfillja e tyre shpesh çon edhe në marrëveshje, të cilat nuk i kanë marrë parasysh në tërësi nevojat dhe interesat e qytetarëve të prekur. Si shembull po e jap marrëveshjen për pensione. Qeveria e atëhershme, përkundër paralajmërimeve nga ekspert prej mërgatës-sidomos nga Sindikata Unia- pas shpalljes së pavarësisë, nuk i kushton shumë rëndësi marrëveshjeve bilaterale – në këtë rast edhe të marrëveshjes për pensione dhe siguri sociale- dhe kur Zvicra zyrtare e paralajmëron mosvazhdimin e marrëveshjes, asnjë hap nuk ndërmerret për ta parandaluar këtë. Pas prishjes së marrëveshjes në mënyrë të njëanshme nga Zvicra, ne sindikalistët kemi lobuar shumë që të ketë vazhdim të marrëveshjes, me qëllim që njerëzit të marrin pensionet e merituara dhe fituara me mund dhe djersë.

Pas fillimit të negociatave, ekspertë tanë nga mërgata çuditërisht dhe jashtë logjikës u larguan nga ekipi i bisedimeve nga ana e palës Kosovare. Rezultat i kësaj ishte një marrëveshje e re, por e cila i la jashtë 10 vitet pa marrëveshje. Pa një retroaktivitet. Pra, shumë pensionist dhe pensioniste në Kosovë, kanë humbur me dhjetëra – qindra mija franga, vetëm e vetëm se ky ekip i Kosovës shumë pak i ka kushtuar rëndësi detajeve të marrëveshjes dhe ka injoruar paralajmërimet dhe kërkesat tona për një precizim, që për 10 vitet pa marrëveshje të gjendet një zgjidhje. Këto gabime nuk bën të përsëriten. Këto kushtojnë shumë jo vetëm financiarisht, por edhe përforcojnë ndjenjën se shteti amë nuk i mbron të drejtat tona.

Për çudi, por edhe për t’u lakmuar se në rrafshin e investimeve ka më shumë përparim, kur është në pyetje përfshirja e ekspertëve të diasporës. Kjo është pozitive dhe duhet marrë si shembull edhe në mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve të vet. Në rrafshin e mbrojtjes së të drejtave sociale dhe ligjore, të cilat janë jetike, për shembull, kur është fjala te përkeqësimi i ligjit për të huajt dhe rrezikimi i sigurisë së qëndrimit, kufizimi dhe kushtëzimi i bashkimit familjar, etj., nuk ka ndonjë interesim apo bashkëpunim me ekspertë të diasporës. Dhe kjo duhet ndryshuar.

Si e shihni që Parlamenti i Kosovës t’i ketë të rezervuar 20 deputetë të diasporës, kur dimë se kemi potencial të madh me intelektual dhe do t’i shërbenin për të mirë atdheut?

Vendet e rezervuara në parlament janë realitet në Kosovë, por vetëm për pakicat. Sa do të ishte e udhës të jepej një kuotë e tillë për mërgatën, nuk kam ndonjë mendim të prerë. Përvojat e deritashme thonë: patjetër po, sepse vetëm kështu do të kemi mundësi ti drejtojmë dhe artikulojmë nevojat dhe kërkesat tona, por edhe ngritur në agjendë temat e rëndësishme, vitale për të drejtat e qytetareve dhe qytetarëve tanë njerëzve në diasporë.

Për fund të kësaj interviste edhe pse kemi edhe për shumë tema të tjera që të bashkëbisedojmë, cila do të ishte porosia juaj për gjeneratën e re shqiptare në Zvicër?

Shkollohuni, bëhuni qytetarë të ndershëm, të angazhuar dhe mos përtoni të punoni. Investoni kohë dhe angazhoheni në vendin ku jetoni, qoftë edhe në mënyrë vullnetare. Jini solidarë, konstruktiv, kritik por edhe kërkoni pjesën që ju takon. Luftoni me këmbëngulje për të drejtat, bindjet dhe vizionet tuaja, por gjithmonë me korrektësi dhe mirësjellje, duke qenë solidarë me të gjithë, pa marrë parasysh prejardhjen, orientimin seksual, besimin apo përkatësinë gjinore.

Bëhuni të besueshëm dhe të ndershëm. Kështu i shërbeni më së mirë vetes, familjes, komunitetit e shoqërisë, si këtu, ashtu edhe në vendin e prejardhjes. Bëhuni urë e mirëfilltë mes vendeve e shoqërive dhe kontribuoni për një të ardhme më të mirë për të gjithë, bazuar në të arriturat e shoqërisë njerëzore, nga të cilat ne këtu në Zvicër kemi pasur privilegjin e pjesshëm të përfitojmë!

Në rrafshin kolektiv, gjeni mundësi të angazhoheni dhe organizoheni në struktura dhe nisma mbipartiake, në organizim të komunitetit tonë dhe atë në të gjitha nivelet (komunë, kanton, federatë), nëpër parti, në politikë, ekonomi, kulturë, në rrjetet profesionale, në sindikata, shoqata të punëdhënësve, me qëllim të fuqizimit dhe faktorizimit tuaj si individë, por edhe shqiptarëve si komunitet. Në të mirë të të dyja vendeve dhe për një të ardhme të begatshme dhe më të përparuar për të gjithë. /helveticALforum

Në trend

Më shumë
Rodrygo 'zbehet' kur mëson se me kë mund të luajë Real Madridi në play-off të Ligës së Kampionëve

Rodrygo 'zbehet' kur mëson se me kë mund të luajë Real Madridi në play-off të Ligës së Kampionëve

Liga e Kampionëve
Gjesti i dërgon letër me mesazhin e koduar Eglit - fansat dyshojnë se përmbajtja e tij është vulgare

Gjesti i dërgon letër me mesazhin e koduar Eglit - fansat dyshojnë se përmbajtja e tij është vulgare

Magazina
Kush me kë takohet në sistemin noukaut, ndërsa dihen edhe kundërshtarët e mundshëm në play-off të Ligës së Kampionëve

Kush me kë takohet në sistemin noukaut, ndërsa dihen edhe kundërshtarët e mundshëm në play-off të Ligës së Kampionëve

Liga e Kampionëve
Klajdi Musabelliu befason me deklaratën në BBVA: Kam qenë i dashuruar me Elvana Gjatën, qëndronim shumë bashkë

Klajdi Musabelliu befason me deklaratën në BBVA: Kam qenë i dashuruar me Elvana Gjatën, qëndronim shumë bashkë

Magazina
Tetë skuadrat që e siguruan direkt kalimin tutje në Ligën e Kampionëve

Tetë skuadrat që e siguruan direkt kalimin tutje në Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Boom, aeroplani supersonik amerikan përfundon me sukses fluturimin e parë – arrin shpejtësinë prej 1,358 kilometra në orë

Boom, aeroplani supersonik amerikan përfundon me sukses fluturimin e parë – arrin shpejtësinë prej 1,358 kilometra në orë

Amerika
Kalo në kategori