"Hëna e përgjakur" dhuroi spektakël edhe në Prishtinë, qytetarët ndoqën eklipsin total nga observatori

Të dielën në mbrëmje, një eklips hënor total dhuroi pamje spektakolare në mbarë botën – përfshirë edhe Prishtinën.
Qytetarë të shumtë patën mundësinë ta shikojnë këtë fenomen të rrallë përmes teleskopëve të vendosur në Observatorin e Prishtinës, nën organizimin e Klubit të Astronomisë së Kosovës.
Suhel Ahmeti, themeluesi i këtij klubi, në një prononcim për Telegrafin tha se ky është një fenomen i rrallë astronomik që ndodh kur hija e Tokës bie mbi Hënë, duke shkaktuar kështu eklipsin total.
“Sot është një fenomen i rrallë astronomik, eklipsi – apo zënia e Hënës. Për dallim nga eklipsi diellor, këtu kemi hijen e Tokës që bie mbi Hënë. Ky nuk është një eklips pjesor, por total. Arsyeja pse Hëna duket e kuqe ose siç quhet ndryshe ‘Hëna e përgjakur’, është për shkak të efektit që krijon atmosfera, ngjashëm si ngjyra e kuqe që shfaqet gjatë perëndimit të Diellit”, tha Ahmeti.
Ai shtoi se për këtë rast, Klubi i Astronomisë kishte organizuar një ngjarje të hapur për publikun, duke ftuar të gjithë të apasionuarit pas qiellit të natës që ta vëzhgonin nga afër këtë dukuri përmes pajisjeve profesionale.
Ahmeti foli edhe për historikun e Observatorit të Prishtinës, duke theksuar se ai kishte qenë funksional në vitet '70, por ishte lënë pas dore për dekada deri në vitin 2022, kur Klubi i Astronomisë e riktheu në përdorim.
“Ne organizojmë ngjarje të ndryshme astronomike, si vizita në shkolla apo vëzhgime të përbashkëta në mbrëmje me qytetarët. Kemi një interes të madh, sidomos nga të rinjtë”, përfundoi Ahmeti. /Telegrafi/








































