Platforma inovative hellocare.ai, e themeluar nga sipërmarrësi shqiptar Labinot Bytyqi, ka bërë një hap të madh në arenën globale të teknologjisë mjekësore duke njoftuar një partneritet strategjik me Klinikën prestigjioze Mayo – një nga institucionet më të njohura shëndetësore në botë.

Siç bëhet e ditur, ky bashkëpunim synon të avancojë përdorimin e inteligjencës klinike ambientale, një teknologji e gjeneratës së ardhshme që mund të transformojë mënyrën si ofrohet kujdesi spitalor.


Nëpërmjet këtij partneriteti, hellocare.ai synon të ndihmojë spitalet të ofrojnë shërbime më të sigurta, më të zgjuara dhe më proaktive përmes zgjidhjeve të integruara që përfshijnë dokumentacionin automatik, monitorimin dixhital të pacientëve, angazhimin interaktiv dhe shërbimet spitalore në shtëpi.

Labinot Bytyqi u shpreh se bashkëpunimi me Klinikën Mayo – e cilësuar si spitali numër një në botë – është një hap i rëndësishëm për të shtyrë kufijtë e asaj që është e mundur me teknologjinë AI në kujdesin shëndetësor.

Sipas tij, “ky partneritet do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e përvojës së pacientëve dhe të stafit, duke mundësuar zbulim të hershëm të problemeve shëndetësore dhe lehtësim të punës së klinicistëve”.

Veç partneritetit, hellocare.ai njoftoi edhe zgjerimin e raundit të financimit në vlerën prej 47 milionë dollarësh, ku Klinika Mayo është bërë investitori më i ri.

Kjo mbështetje financiare do të fuqizojë më tej misionin e platformës për të modernizuar ofrimin e kujdesit në mbi 70 sisteme shëndetësore ku tashmë është e pranishme.

Historia e Labinot Bytyqit është një shembull frymëzues i suksesit shqiptar në arenën ndërkombëtare të teknologjisë dhe shëndetësisë – duke treguar se vizioni, inovacioni dhe përkushtimi mund të ndikojnë realisht në përmirësimin e jetës së miliona pacientëve në mbarë botën.

hellocare.ai është një ofrues kryesor i zgjidhjeve të kujdesit virtual të asistuara nga inteligjenca artificiale. Me seli në Clearwater, Florida, kompania mbështet më shumë se 70 sisteme shëndetësore në të gjithë SHBA-në dhe po zgjerohet me shpejtësi në nivel global. /Telegrafi/