Helen Flanagan bën një paraqitje surprizë në Festivalin e Filmit në Kanë

Helen Flanagan u shfaq papritur në Festivalin e Filmit në Kanë, ku tërhoqi vëmendjen me një fustan elegant të bardhë teksa hynte në hotelin luksoz Martinez, ku çmimet fillojnë nga 2,000 paund nata (afërsisht 2,350 euro).
Aktorja 34-vjeçare, dikur pjesë e "Coronation Street", dukej në humor të mirë, pavarësisht se kohët e fundit ka folur hapur për problemet e saj financiare.
Pas ndarjes nga partneri i saj Scott Sinclair, Helen është në proces të shitjes së shtëpisë së saj prej 1.5 milionë paundësh (afërsisht 1,7 milionë euro) dhe ka rrëfyer se mezi përballon shpenzimet e përditshme, shkruan DailyMail.
Ajo tha se i duhej të zhvendosej dhe se mezi kishte para për një taksi për të çuar djalin në çerdhe.
Pavarësisht këtyre sfidave, të dhënat financiare të firmës së saj tregojnë ende një nivel të konsiderueshëm të ardhurash.
Në një intervistë të fundit, Helen pranoi se do t’i mungojë shtëpia që ka investuar shumë për ta rinovuar, por e sheh zhvendosjen si një fillim të ri.
Ajo shtoi se dëshiron të jetojë në Londër, megjithëse çmimet e larta janë një pengesë.
Ndërkohë në Kanë, edhe ish-kolegia e saj Michelle Keegan u pa në tapetin e kuq, ku do të marrë pjesë në ndarjen e çmimeve “L’Oréal Lights On Women”, përkrah emrave të mëdhenj si Helen Mirren dhe Viola Davis. /Telegrafi/
































































