Haxhi Avdyli i LVV-së konfirmon marrëveshjen me Nismën: I kemi 61 vota

Haxhi Avdyli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka konfirmuar se partia e tij ka marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, edhe pse jo në formë të shkruar, për bashkëqeverisje.
Avdyli tha se nuk është i autorizuar të flasë për marrëveshjen, por shtoi madje se bisedimet janë “shumë pozitive” dhe se tashmë “LVV-ja i ka 61 vota në Kuvend”, por se ajo do më shumë se aq.
“Kemi bisedime dhe bisedimet janë shumë pozitive. S’kemi të shkruar, por mbi këtë shumë shpejt... Për këtë do të dalim para opinionit. S’jam i autorizuar që të flas për këtë”, tha Avdyli, duke folur për KTV.
Avdyli tha të enjten se Vetëvendosje i “ka tashmë” votat e nevojshme për ta formuar Qeverinë e re.
“Ata e dinë që ne i kemi numrat. Ne i kemi 61, por nuk i kemi 63 a 65. Por synojmë t’i rrisim. I kemi të sigurt 61”, ka thënë ai.
Kurti i kishte takuar javën e kaluar edhe liderët e 10 partive të pakicave joserbe në përpjekje për t’i siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re, por nuk është e qartë ende nëse e ka mbështetjen e të gjitha atyre.
Me tri votat e Nismës dhe 10 të pakicave joserbe, partia e Kurtit do t’i kishte 61 vota, minimumi i kërkuar për formimin e Qeverisë së re.
Deputetja e zgjedhur nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, për të njëjtin televizion ka thënë se insistimi i partive opozitare të deritanishme, që të shkohet në votim për konstituim të Kuvendit pa pasur konsultim, ishte absurd dhe banal. Ajo ka thënë se me këto veprime, opozita nuk po e lë LVV-në që të tregojë se a i ka numrat e nevojshëm apo jo. Se a do t’ia mundësojë Nisma Socialdemokrate që t’i mbërrijë 61 vota, ajo ka thënë se këtë do ta tregojë me kohë kryetari i VV-së, Albin Kurti.
Nisma, e cila garoi në një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka komentuar deri më tani rreth marrëveshjes së mundshme me LVV-në, ndonëse kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka qenë i vetmi që e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Kurtin nga partitë tjera shqiptare.
















































