Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Mytaher Haskukës, Enver Hotit, Shqipe Pantinës dhe Teuta Haxhiut, duke i dënuar secilin veç e veç me nga një vit burgim me kusht, për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Aktgjykimi në fjalë u shpall të mërkurën nga gjykatësi Adnan Kamberi.
Sipas aktgjykimit, Enver Hoti dënohet me burgim prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej dy viteve.
Po ashtu, Haskuka u dënua me burgim prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej dy viteve.
Tutje, Pantina u dënua me burgim prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej dy viteve.
Njësoj u dënua edhe Haxhiu me burgim prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej dy viteve.
Obligohen që secili veç e veç të paguajnë paushallin gjyqësor në shumën për 50 euro, ndërsa nga 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.
Në aktakuzën e përpiluar më 15 prill 2016 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se Enver Hoti, Shqipte Pantina, Mytaher Haskuka, Teuta Haxhiu dhe Rexhep Selimi akuzohen se më 19 shkurt 2016, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa autorizim kanë përdorur armë me qëllim të ndërprerjes se punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës.
Aktakuza thotë se gjatë rrjedhjes së seancës, në vendet ku ishin të ulur, kanë aktivizuar gazin lotsjellës dhe nga tymi i përhapur është pamundësuar mbajtja e rregullt e seancës, me ç ‘rast është ndërprerë puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/