Site icon Telegrafi

I harruar nga të gjithë, Dele Alli po rikthehet ta vazhdojë karrierën në Serie A

Dele Alli ka marrë një kontratë 18-mujore nga klubi italian Como, teksa mesfushori po synon ta ‘ringjallë’ karrierën e tij. 

Ish-ylli i Tottenhamit do të nënshkruajë një kontratë të dielën e cila do të mbajë atë në klub deri në fund të sezonit 2025/2026, ka raportuar Fabrizio Romano. 

Në kontratë përfshihet edhe opsioni për ta zgjatur më tej marrëveshjen, varësisht se sa paraqitje bën ai. 

28-vjeçari ka qenë në stërvitje me klubin italian që nga dhjetori, pasi ka qenë pa klub që prej largimit të tij nga Evertoni në verë. 

Lëndimet e shpeshta kanë bërë që ai të humbasë në tërësi sezonin 2023/2024 teksa ndeshja e tij e fundit daton në shkurt të 2023 kur ishte në huazim tek Besiktasi. 

Como po lufton për mbijetesë në Serie A nën urdhrat e trajnerit Cesc Fabregas, pasi ishte promovuar sezonin e kaluar nga Serie B. 

Ata gjenden vetëm një pikë larg zonës së rrezikshme dhe ish-kapiteni i Arsenalit, Fabregas do të shpresojë se Dele do të ofrojë kualitet shtesë në pjesën e dytë të sezonit. 

Transferimi i ish-reprezentuesit anglez me gjasë do të njoftohet gjatë ditëve në vazhdim teksa ai po synon që të lë pas këto vite të fundit të cilat kanë qenë mjaft të vështira për të./Telegrafi/

Exit mobile version