Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, ka kujtuar ditën kur Kuvendi i Kosovës vendosi zyrtarisht që flamuri shqiptar të valojë i lirë në tërë vendin.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, tha se kësaj ngjarjeje madhore për historinë tonë, i paraprinë protestat masive të shtatorit 1968, që shënuan rizgjimin historik të ndjenjave nacionale.


Postimi i plotë i Haradinajt:"Gjysmë shekulli më përpara, në ditën e sotme, Kuvendi i Kosovës vendosi zyrtarisht që flamuri shqiptar të valojë i lirë në tërë vendin, duke e vendosur në vend një të drejtë themelore, të manifestimit të simbolit identitar. Kësaj ngjarjeje madhore për historinë tonë, i paraprinë protestat masive të shtatorit 1968, që shënuan rizgjimin historik të ndjenjave nacionale. Flamuri kuq e zi u priu atyre në luftën çlirimtare deri në liri. Dita e Flamurit është kremtuar edhe në kohërat më të vështira, kur shqiptarët ndiqeshin dhe burgoseshin vetëm pse ishin shqiptar dhe shpalosnin simbolet e tyre. Sot, në Kosovën e pavarur dhe sovrane, krahas rendit simbolik shtetëror, flamuri kuq e zi është rrëfimi i tërë rrugëtimit tonë deri në liri dhe përmban kujtimet e shumë brezave që u ngritën dhe ranë në mbrojtje të lirisë kombëtare, mbuluar me këtë flamur. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë brezat që e njomën flamurin kuq e zi me gjakun e tyre!", ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/