Haradinaj: Ndryshimi i administratës në Washington, Kosova nuk ka kohë për të humbur

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ndodhet këto ditë në Washington, ka folur për zhvillimet në Kosovë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, si dhe tek ndikimi që do të ketë politika e administratës së re amerikane për zhvillimet në Kosovë.
Për 'Zëri Amerikës', Haradinaj shprehu bindjen se zgjedhjet e 9 shkurtit do të sjellin një ndryshim të qeverisjes në Kosovë, duke theksuar se koalicioni që ai udhëheq ka një program të qartë dhe të bazuar në nevojat e qytetarëve.
“Pritet një ndryshim qeverie pas këtyre zgjedhjeve. Një qeveri opozitare, që shpresoj ta udhëheq unë,” tha ai.
Haradinaj nënvizoi prioritetet e tij, duke përfshirë anëtarësimin e Kosovës në NATO, sigurinë energjetike dhe ekonomike, si dhe përmirësimin e kushteve në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe pensioneve.
Ai theksoi rëndësinë e rikthimit të gazsjellësit amerikan për të siguruar pavarësinë energjetike të vendit.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, Haradinaj theksoi se marrëveshjet ekzistuese duhet të zbatohen dhe se dialogu duhet të kalojë në një nivel dypalësh.
“Nuk do të vazhdojmë më të dialogojmë për çështje që tashmë janë të kontraktuara. Duhet të përmbushim detyrimet tona dhe të fokusohemi në marrëdhëniet bilaterale,” tha ai.
Haradinaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me administratën amerikane për të avancuar proceset e sigurisë dhe anëtarësimit në NATO.
Ai vlerësoi marrëdhëniet historike me SHBA-në dhe nënvizoi se ndryshimi i qeverisë është thelbësor për të forcuar këtë partneritet.
Në fund, Haradinaj shprehu optimizmin e tij për një rezultat pozitiv në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe për avancimin e Kosovës drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe të qëndrueshme.



































