LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj, Kurtit: Mbaje anën e ligjit dhe drejtësisë

Haradinaj, Kurtit: Mbaje anën e ligjit dhe drejtësisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në seancën e Kuvendit të enjten, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që ta mbajë anën e drejtësisë dhe ligjit.

Para deputetëve, ai ka thënë se nuk është besnikëri të mbash pozicion të gabuar kur bëhet fjalë për interesin e përgjithshëm.

Këto deklarime Haradinaj i ka bërë teksa ka folur për arrestimin e kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për keqpërdorim të pozitës.


“Për me ecë përpara duhet me qenë i gatshëm edhe për sakrifica. Udhëheqësit e zotë e dinë që i bjen nëse dikush nga radhët tua ka shkel ku s’duhet duhet me ia tregu vendin. Me dhimbje po e them, po duhet me ja tregu vendin. Nuk besoj se është lojalitet me marr pozicion të gabuar në interes të përgjithshëm.

Ne në luftë kemi lënë njerëz, rrugës na janë vrarë e na janë plaguar për çështjen tonë kombëtare. E sot e lus kryeministrin ta merr anën e drejtësisë dhe ligjit. Lus institucionet e Kosovës mos e bëni këtë gabim”, është shprehur i pari i AAK-së.

Mesditën e së mërkurës Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet tjera shtetërore filloi një aksion të gjerë duke bastisur zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe dy banesa private që rezultuan të jenë në pronësi të Nagip Krasniqit – drejtor i KEK-ut.

Pas aksionit, Prokuroria Speciale njoftoi se është arrestuar Nagip Krasniqi nën dyshimet për tri vepra penale.

Sipas Prokurorisë, drejtori i KEK-ut dyshohet për veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit dhe konflikt interesi./Telegrafi/