Ish-ylli i futbollit evropian, Marek Hamsik, iu përkushtua “shoqërimit” me kafshët pas përfundimit të karrierës së tij dhe hapi një fermë pulash me gruan e tij Martina.
Gruaja e Marek, Martina ka treguar se e kanë pajisur kafazin e pulave sipas standardeve më të fundit dhe se deri më sot ka 29 pula që i sjellin një numër të madh vezësh çdo ditë.
“Është një hobi i yni relativisht i ri. Gjithçka filloi në prill të vitit të kaluar gjatë Pashkëve, kur filluam biznesin dhe pajisëm një kotec pulash me çdo gjë që shkon me të. Është si një hotel pulash me ngrohje dhe ventilim të integruar, por edhe me dyer automatike që hapen në mëngjes, kështu që ne nuk duhet të ngrihemi dhe t’i kontrollojmë ato”, ka thënë Martina.
Tutje, rreth pulave foli edhe ish-ylli i Napolit, duke treguar edhe pse ata merren me këtë hobi.
“Deri më sot, ne kemi 29 pula, dhe ato na sjellin rreth njëzet vezë në ditë. Ne tashmë kemi shumë prej tyre dhe po mendojmë t’i shesim vezët. Ne hamë shumë vezë, kështu që na vjen në ndihmë sepse i përdorim shumë në shtëpinë tonë. Pjesën tjetër ia jap familjes sime sepse nuk mund t’i hamë të gjitha në mëngjes çdo herë”, ka thënë fillimisht Hamsik.
Ai shtoi se ideja ka ardhur nga gruaja e tij, e cila është një adhuruese e madhe e kafshëve dhe se ata tashmë kanë shumë prej tyre.
“Ideja erdhi nga gruaja ime. Ajo është një dashnore e madhe e kafshëve, të cilën ia ka përcjellë gjithë familjes. Nëse do të kishim mundësi, do të kishim një kopsht zoologjik të vogël në shtëpi. Tani kemi tre qen, një mace, pulat e lartpërmendura, dy breshka dhe dy ferret. Kishim edhe dy gjela”, përfundoi ish-ylli sllovak.
Ish-futbollisti sllovak gjatë karrierës së tij luajti për Slovan Bratislava, Brescia dhe Napoli, ku luajti 519 ndeshje dhe shënoi 121 gola.
Ai luajti në Kinë, Suedi dhe Turqi përpara se të varte këpucët në vitin 2023, dhe sot ai ka akademinë e tij të futbollit dhe kryen punë të përkohshme për shoqatën lokale të futbollit. /Telegrafi/