Hamilton e mbyll me fitore sezonin në Formula 1

Lewis Hamilton ka fituar garën e fundit të këtij sezoni në Formula 1, të mbajtur në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Piloti britanik u shpall para disa javëve kampion i këtij sezoni në Formula 1, duke arritur ta fitojë kurorën e pestë në karrierë.
Megjithatë, Hamilton ka fituar edhe garën e fundit për Çmimin e Madh të Abu Dhabit, edhe pse ishte garë revyale për të.
Hamilton arriti të dalë i pari pas 55 xhirove, duke lënë pas vetes konkurrentin kryesor të këtij sezoni, pilotin e Ferrarit Sebastian Vettel.
Podiumi i kësaj gare u kompletua nga piloti i Red Bullit, Max Verstappen.
Kjo ishte fitorja e 11-të e këtij sezoni për pilotin e Mercedesit nga 21 gara sa ishin gjithsej, duke treguar se padyshim ishte më i miri.
Në fund, Hamilton si i pari pati plot 408 pikë, duke lënë pas vete Vettelin në vendin e dytë me 320 pikë dhe Kimmi Raikkonenin me 251 pikë në vendin e tretë.
Garën për konstruktor e fitoi Mercedesi, duke lënë pas vete Ferrarin dhe Red Bullin. /Telegrafi/



















































