Lëvizja Vetëvendosje – dega në Shtime ka njoftuar se profili zyrtar në TikTok i kryetarit të kësaj komune, Qemajl Aliu, i cili menaxhohet nga ekipi i tij, është hakuar nga persona ende të panjohur.

Sipas njoftimit, menjëherë pas ndërhyrjes së paautorizuar kanë nisur të qarkullojnë disa pamje të cilat, siç theksohet, nuk përfaqësojnë kryetarin Aliu, figurën dhe diskursin e tij politik, përcjell Telegrafi.


“Para pak minutash, profili në TikTok i Kryetarit të Shtimes, Dr. Qemajl Aliut, i menaxhuar nga ekipi i ngushtë i tij, është hakuar nga persona të papërgjegjshëm. Ky veprim është shkelje e ligjit, dhe ne do t’i drejtohemi organeve të rendit për të marrë masat e nevojshme. Menjëherë pas hakimit, kanë nisur të qarkullojnë disa screenshot-e që qartë nuk përfaqësojnë kryetarin Aliu, figurën, kulturën e diskursin e tij”, thuhet në postim.



Po ashtu, në reagim theksohet se incidenti ndodhi pak para fillimit të xhirimeve të debatit në KTV, një natë pas, siç thuhet, “debaklit të opozitës në debatin e RTK-së”.

Në komunikatën e plotë të Vetëvendosjes – Shtime thuhet gjithashtu: “Qytetarë të nderuar, kjo nuk është hera e parë që po tentohet të përbaltet figura e kryetarit, e adresën e të gjitha këtyre shpifjeve e lojërave të ulta ju e dini shumë mirë. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë jush me ide e aktivitete politike dhe nuk do të lejojmë manipulime ose orkestrime që tentojnë të dëmtojnë imazhin tonë. VVazhdojmë fuqishëm me punë të mira e transformim të Shtimes”. /Telegrafi/