Mbrojtësi i talentuar kosovar, Ron Raci, është zyrtarisht lojtari më i ri i Hajduk Split, pas marrëveshjes së arritur me Prishtinën për transferimin e tij.

Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi kroat përmes një njoftimi zyrtar.


“HNK Hajduk dhe FK Prishtina kanë rënë dakord për transferimin e mbrojtësit 22-vjeçar Ron Raci, i cili ka nënshkruar një kontratë me të bardhët deri në verën e vitit 2029", thuhet fillimisht në njoftim.

"Mbrojtësi i gjatë do t’i bashkohet menjëherë seancave stërvitore të ekipit të parë dhe do të veshë fanellën me numër 14 te Hajduku".

"Sezonin e kaluar, Raci përjetoi afirmim të plotë në radhët e Prishtinës, ku ishte lojtari më i mirë i klubit. Në karrierën e tij si senior, ai bëri mbi 40 paraqitje zyrtare dhe shënoi tre gola me një asist".

"Konfirmimi i cilësisë së tij të lojës erdhi në qershor në formën e një thirrjeje në ekipin kombëtar të Kosovës, kur ai bëri debutimin e tij zyrtar në një ndeshje kundër Komoreve".

"Ron, mirë se erdhe në Hajduk. Të urojmë shumë fat, suksese dhe performanca të mira me fanellën e bardhë!”, përfundon njoftimi i klubit kroat.

Transferimi i Raçit u finalizua me sukses falë punës së palodhshme të agjentëve të tij, Adonis Arifi dhe Lulzim Murtezaj nga Spark Soccer Agency. Dyshja u angazhua intensivisht për të mbyllur marrëveshjen, duke e shënuar kështu suksesin e tyre të dytë të madh pas transferimit të Ernis Qestajt vitin e kaluar te Slaven Belupo në Kroaci.

Në këtë marrëveshje luajtën rol edhe Eros Grezda dhe menaxheri italian Giovanni Santori, të cilët ndërmjetësuan në fazat vendimtare të negociatave, duke ndihmuar në arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

/Telegrafi/

telegrafi sport app