Hailey Bieber së fundmi mori pjesë në festën tradicionale pas ndarjes së çmimeve Oscar dhe i mahniti të pranishmit me stilin e saj të rafinuar dhe plot vetëbesim

Ceremonia e Oscar-it ka përfunduar, por jo edhe kritikat dhe analizat e modës. Në rrjetet sociale vazhdojnë komentet për paraqitjet më të spikatura, ndërsa kësaj radhe vëmendja është përqendruar te një nga emrat më të kërkuar në industrinë e modës – Hailey Bieber.


Hailey mori pjesë në festën prestigjioze të revistës “Vanity Fair”, e cila tradicionalisht organizohet çdo vit pas Oscar-it dhe konsiderohet si një nga ngjarjet më ekskluzive të natës. Për këtë rast, ajo zgjodhi të shfaqë një elegancë sensuale dhe moderne që nuk kaloi pa u vënë re.

Konkretisht, ajo veshi një fustan të markës Armani, i cili përqafon linjat e trupit dhe thekson në mënyrë perfekte siluetën e saj. Dizajni i ngushtë, materiali luksoz dhe prerja elegante krijojnë një pamje të sofistikuar, ndërsa shpina e hapur i shton kombinimit një dozë tërheqëse dhe glamuri bashkëkohor, transmeton Telegrafi.

Përveç kësaj, detaji që tërhoqi vëmendjen ishte printi leopard, një motiv klasik që rikthehet fuqishëm këtë sezon dhe po dominon koleksionet e shtëpive më të mëdha të modës. Me këtë zgjedhje, Hailey duket se konfirmon një nga trendet më të forta të momentit.

Ajo e kompletoi paraqitjen me grim në tonet “nude”, duke theksuar bukurinë natyrale, një model flokësh të thjeshtë dhe të rregullt, si dhe bizhuteri diskrete që i dhanë pamjes një balancë perfekte mes elegancës dhe minimalizmit.

/Telegrafi/