Gruaja e Granit Xhakës, Leonita thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e një transferimi te Bayer Leverkusen, pasi mesfushori shqiptar duket se është gati të largohet nga Arsenali.
Reprezentuesi zviceran duket se do të largohet nga Emirates pas shtatë vitesh në klub. Xhaka ka ringjallur formën e tij këtë sezon dhe ka luajtur një rol jetik në sfidën e titullit të skuadrës së Mikel Artetës, por thuhet se do të kalojë në Bundesligë sezonin e ardhshëm për një sfidë të re.
Sipas gazetës Sport Bild, gruaja e Granitit, Leonita ka luajtur një rol kyç për të ndihmuar Xhakën të zgjedhë klubin e tij të ardhshëm pasi ajo është rritur dhe shkolluar në Gjermani.
Në të vërtetë, dyshja u takuan teksa Xhaka luante për Borussia Monchengladbach para lëvizjes së tij në Arsenal dhe një rikthim në Gjermani ka qenë gjithmonë në karta.
Pasi të nënshkruhet, kontrata e tij me Leverkusen do të zgjasë deri në vitin 2027 dhe klubi do të paguajë 15 milionë euro për Topçinjtë si tarifë transferimi për shërbimet e djaloshit nga Kosova.
Gazeta Bild përmend gjithashtu se Xhaka ka zhvilluar disa raunde diskutimesh me menaxherin e Leverkusenit, Xabi Alonso përpara se të marrë thirrjen e fundit dhe është plotësisht i bindur për rolin e tij.
Spanjolli i beson aftësive të mesfushorit shqiptar për të mbajtur topin dhe e sheh atë si një lider të rëndësishëm në fushë që mund të diktojë lojën.
Xhaka ka një punë për të bërë në fundjavë kur Arsenali do të përballet me Nottingham Forest në Ligën Premier, me mesfushorin që pritet të fillojë si titullar pasi Topçinjtë marrin pjesë në ndeshjen e tyre të parafundit të sezonit 2022/23. /Telegrafi/