Gratë në politikën lokale: Nga prania formale te ndikimi real

Artan Canhasi
Vlen të përsëritet që gratë përbëjnë gjysmën të shoqërisë. Çdo vendimmarrje pa pjesëmarrjen e barabartë të grave, është e cunguar dhe jolegjitime në pikëpamje demokratike. Përveç parimit të barazisë, përfshirja e grave sjell këndvështrime dhe përvoja unike që përmirësojnë cilësinë e vendimeve. Në nivel lokal, ku politikat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, pjesëmarrja e grave është thelbësore për të adresuar nevojat reale të popullatës.
Falë kuotave ligjore dhe përpjekjeve të shumta, përfaqësimi i grave në kuvendet komunale të Kosovës është rritur me kalimin e viteve, por ende mbetet nën nivelin e synuar. Ndërkaq, në postet kryesuese lokale, si kryetare të komunës, gratë pothuajse mungojnë. Kjo nuk është vetëm padrejtësi, por edhe humbje për shoqërinë: injorimi i gjysmës së popullsisë në vendimmarrje do të thotë lënie mënjanë të gjysmës së potencialit shoqëror - të talentit, ideve dhe zgjidhjeve të mundshme.
Vëzhgimi personal nga terreni më ka treguar se kur gratë marrin pjesë aktive në politikë, agjenda e vendimeve pasurohet me ide të reja. Kam vërejtur një dukuri domethënëse gjatë monitorimit të dëgjimeve buxhetore komunale: në rastet kur pjesëmarrës ishin vetëm burra, kërkesat e shtruara silleshin kryesisht rreth asfaltit dhe sallave sportive - sikur këto të ishin zgjidhjet e vetme për hallet e shoqërisë. Në përgjithësi, në këto raste, duket se vizioni i zhvillimit fillon e mbaron me betonin dhe sportin. Mirëpo, kur pjesëmarrëse ishin dhe gratë panorama ndryshonte dukshëm. Kërkesat e tyre shkonin përtej, drejt çështjeve më themelore për cilësinë e jetës: hapja e çerdheve për fëmijët, vendosja e paneleve solare në shkolla, apo financimi i programeve trajnuese për prindërit e fëmijëve me autizëm. Ide që kishin ndikim të madh multiplikues dhe përmirësonin jetën si tani, si në të ardhmen e largët.
Gratë, për shkak të roleve dhe përvojave të tyre, identifikojnë shpesh nevoja që mund të mbeten nën radar, kur vendimmarrja dominohet nga burrat. Ato priren të adresojnë çështje si arsimi i hershëm, shërbimet shëndetësore preventive (p.sh. mamografia mobile për gratë), mirëqenia sociale dhe mjedisi i pastër - tema me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e shoqërisë. Këto “prioritete të buta” (krahasuar me projektet infrastrukturore) në fakt janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm e përmirësim cilësor të jetës.
Përvoja ime më ka mësuar se kur gratë fuqizohen të flasin dhe të veprojnë, përfitojnë të gjithë. Kjo lidhet me faktin se gratë statistikisht u japin prioritet interesave të përbashkëta dhe mirëqenies afatgjatë të komunitetit.
Që kontributi i grave të mos mbetet sporadik, duhet të sigurojmë që ato të kenë hapësirën dhe mundësitë e nevojshme për t’u angazhuar. Kjo fillon nga partitë e deri te institucionet lokale: udhëheqësit duhet të krijojnë një kulturë ku zëri i grave dëgjohet dhe merret seriozisht. Nuk mjafton plotësimi i kuotës gjinore - në praktikë, gratë duhet të kenë mundësi reale të nisin iniciativa dhe t’i çojnë ato deri në fund.
Gratë e reja që hyjnë në politikë shpesh hasin një “tavan të padukshëm”: pranohen formalisht, por jo domosdoshmërisht mirëpriten si vendimmarrëse me peshë. Shumë propozime të tyre mbeten në sirtar dhe nisma të vlefshme neglizhohen. Kjo i dekurajon dhe i shtyn drejt “aktivizmit momental”, janë aktive fillimisht, pastaj heshtin. Duhet vepruar si nga lart ashtu edhe nga poshtë: udhëheqësit institucionalë e partiakë duhet t’u japin grave mbështetje të hapur, t’i inkurajojnë në role udhëheqëse dhe t’u besojnë përgjegjësi. Ndërsa vetë gratë, brenda institucioneve apo në pozita vendimmarrëse, të këmbëngulin për hapësirën e tyre dhe të mos zmbrapsen kur hasin pengesa.
Një aspekt kyç është përfshirja e kërkesave të grave në politikat dhe buxhetet lokale. Sa herë që gratë artikulojnë nevoja - qoftë për një çerdhe, një shërbim shëndetësor apo një nismë ekonomike - institucionet duhet t’i marrin seriozisht dhe t’i përfshijnë. Kështu gratë shohin se zëri i tyre ka ndikim dhe motivohen të qëndrojnë aktive, ndërsa komuniteti përfiton nga zgjidhja e problemeve që përndryshe do të mbeteshin në harresë.
Narrativa mbi gratë në politikë duhet të ndryshojë: pjesëmarrja e grave nuk është thjesht çështje kuote apo numrash, por një vlerë e shtuar në qeverisje. Kalimi nga aktivizmi sporadik tek angazhimi i qëndrueshëm i grave është i domosdoshëm - jo vetëm për vetë gratë, por edhe për demokracinë lokale. Kur gratë dhe burrat udhëheqin krah për krah, vendimet janë më gjithëpërfshirëse dhe rezultatet më afatgjata. Prandaj, duhet të sigurohemi që zëri i grave të mos jetë përjashtim, por pjesë e pandashme e vendimmarrjes, sepse vetëm atëherë demokracia lokale do të sjellë përfitime të ndërsjella për të gjithë.
(Autori është drejtor i “Auriga Consulting”. Ky shkrim është hartuar në kuadër të projektit “Ajo Udhëheq: Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Promovimi i Grave në Udhëheqjen Lokale”, që implementohet nga Demokraci për zhvillim - D4D, dhe mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Përmbajtja pasqyron mendimet dhe qëndrimet e autorit dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e organizatës/donatorit)


















































