Loja e shumëpritur "Grand Theft Auto 6" ende nuk është konfirmuar për PC, dhe Take-Two tani ka njoftuar se do të duhet më shumë kohë sesa pritej për të dalë në konsola.

Në vend të lansimit të planifikuar më 26 maj 2026, lansimi i lojës është planifikuar tani për 19 nëntor.


"Grand Theft Auto 6 do të dalë të enjten, më 19 nëntor 2026. Na vjen keq që i shtuam kohë shtesë asaj që e dimë se ka qenë një pritje e gjatë, por këta muaj shtesë do të na lejojnë ta përfundojmë lojën me nivelin e përsosjes që prisni dhe meritoni."

"Rockstar Games do të lansojë Grand Theft Auto 6 më 19 nëntor 2026, dhe ne jemi të entuziazmuar dhe të sigurt se do të ofrojë një përvojë argëtimi të pakrahasueshme. Me zhvillimin më të fortë në historinë e kompanisë sonë, presim të arrijmë nivele rekord të rezervimeve neto në vitin fiskal 2027, të cilat do të krijojnë një themel të ri për biznesin tonë dhe do të na vendosin në rrugën drejt rritjes së fitimeve”, tha CEO i Take-Two, Strauss Zelnick.

Kjo është vonesa e dytë e rëndësishme për GTA 6.

Fillimisht ishte planifikuar të dilte për konsolat në vjeshtën e vitit 2025, por në maj data e publikimit u shty për në maj 2026.

Rockstar tha në atë kohë se kjo kohë shtesë ishte e nevojshme për të ofruar nivelin e cilësisë që lojtarët presin dhe meritojnë, një mesazh shumë i ngjashëm me atë që po komunikohet tani.

Zelnick tha se "kur një kompani cakton një datë, ata vërtet besojnë në të", por shtoi se "nëse një lojë ka nevojë për më shumë përsosje për të qenë versioni më i mirë i mundshëm i vetes, atëherë asaj loje i jepet më shumë kohë", gjë që është ajo që ka ndodhur tani. /Telegrafi/