Goli i Ronaldos kundër Juventusit, shpallet goli më i bukur i sezonit

Goli fantastik i Cristiano Ronaldos në mënyrë akrobatike që ia shënoi Juventusit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, është shpallur goli më i bukur i sezonit sipas UEFA-s.
Portugezi ka shënuar një numër të madh golash të bukur, por ai që e realizoi në Allianz Stadium pikërisht ndaj klubit aktual, është votuar si goli më i mirë.
Në një deklaratë të mëhershme, 33-vjeçari kishte konfirmuar se e konsideronte një prej golave më të mirë në karrierën e tij.
Në një postim të UEFA-s janë publikuar tre golat që kanë marrë më së shumti vota, mirëpo goli i CR7 ka marrë afro 200.000 prej 346.915 votave.
Superylli portugez u duartrokit në atë ndeshje nga tifozët e Juventusit gjë që nuk i kishte ndodhur kurrë në karrierën e tij.
"Faleminderit të gjithë atyre që kanë votuar për mua. Nuk do ta harroj kurrë atë moment, sidomos reagimin e fansave në stadium", ka shkruar CR7 në Twitter.
Kujtojmë që gjatë afatit kalimtar veror, Ronaldo u bë transferi kryesor i këtij viti duke nënshkruar për Juventusin. /Telegrafi/





















































