Gjykata Komerciale i jep të drejtë Kryeqytetit, Rama: Asnjë kompromis me interesin publik, fituam betejën

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale kanë vendosur në favor të Kryeqytetit, duke konfirmuar paligjshmërinë e kontratës ndërmjet Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) dhe një investitori privat.
Sipas Ramës, ky vendim përbën një konfirmim të plotë të drejtësisë dhe të angazhimit institucional për mbrojtjen e pronës publike, duke theksuar se rruga ligjore e ndjekur për katër vjet me radhë ka qenë e drejtë dhe në interes të qytetarëve.
“Përmes përfaqësimit tonë institucional në NPB dhe përmes Zyrës Ligjore të Komunës së Prishtinës, kemi insistuar vazhdimisht dhe pa kompromis se kjo kontratë ka qenë e paligjshme dhe e dëmshme për interesin publik. Sot, këtë vlerësim e konfirmon edhe Gjykata Komerciale”, ka deklaruar Rama.
Ai bëri të ditur se Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë dhe proceduralë, duke hartuar dhe mbështetur padinë për prishjen e kontratës, ndërsa Zyra Ligjore e Komunës ka kërkuar zyrtarisht të jetë palë e interesuar në proces, me qëllim prishjen e kontratës dhe kthimin e pronës publike te qytetarët.
Rama theksoi se ky vendim dërgon një mesazh të qartë se interesi publik nuk negociohet, ligji do të mbrohet dhe Kryeqyteti do të qeveriset gjithmonë në funksion të qytetarëve.
“Askush mbi ligjin. Askush në pronën publike”, përfundoi ai./Telegrafi/




















































