LAJMI I FUNDIT:

Gjykata hedh poshtë dy pika të aktakuzës ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, dhe shpall të papranueshme si provë CD-në

Gjykata hedh poshtë dy pika të aktakuzës ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, dhe shpall të papranueshme si provë CD-në

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim me anë të së cilit ka hudhur poshtë dy pika të aktakuzës ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, me të cilat ngarkohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe ka shpallur të papranueshme si provë një CD dhe transkriptimin e saj.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me anë të së cilit janë miratuar pjesërisht ankesat e mbrojtësve të Lavdim Krasniqit dhe Marigona Berishës.

Në vendim thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar pjesërisht kundërshtimin e mbrojtësit të Lavdim Krasniqit, avokatit Ramë Gashi, për pranueshmëri të provës, ashtu që transkriptin e bisedës së bashku me CD-në e datës 26 shkurt, të marra në bazë të urdhëresës së 25 shkurtit 2021, e ka shpallur si provë e papranueshme.


Kjo pasi sipas këtij vendimi, urdhri i gjyqtarit të procedurës paraprake është lëshuar në kundërshtim me procedurën e paraparë me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit, këto prova, transkripti dhe CD do të mbyllen dhe veçohen nga shkresat e lëndës dhe mund të shqyrtohet vetëm në procedurë sipas ankesës kundër aktvendimin mbi pranueshmërinë.

Ndërkaq, gjykata ka refuzuar pjesën tjetër të kundërshtimit të provave të paraqitur nga mbrojtësi i Krasniqit, si dhe në tërësi kundërshtimet e provave të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve Ardian Krasniqi dhe Marigona Berisha si të pabazuara.

Gjykata ka aprovuar pjesërisht kërkesat për hudhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve Lavdim Krasniqi dhe Marigona Berisha.

Në drejtim të pandehurit Lavdim Krasniqi është hudhur poshtë aktakuza dhe pushohet procedura penale për veprat penale në bashkëkryerje “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 414, par 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së si në pikën IV.

Si dhe për veprat penale në bashkëkryerje “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 414, par 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së si në pikën V të dispozitivit të aktakuzës.

Sipas vendimit, për këto dy pika të aktakuzës është marrë vendimi për hudhje të tyre për shkak të mungesës së provave për dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari ka kryer këto vepra.

Ndërkaq, për të akuzuarën Marigona Berisha është hudhur poshtë aktakuza dhe pushon procedura penale për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 333, par.1 të KPRK-së, si në pikën VI të dispozitivit.

Për këtë pikë të aktakuzës ndaj të akuzuarës Berisha, është marrë vendim për hudhje të saj, për shkak të mungesës së aktvendimit për fillimin apo zgjerimin e hetimeve.

Kurse, gjykata ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Lavdim  Krasniqit për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Tutje, ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Ardian Krasniqit për veprat penale në vazhdimësi dhe bashkëkryerje “Ushtrim ndikimi”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Për Marigona Berishën, ka mbetur në fuqi pika e akuzës ku ngarkohet për “Falsifikim të dokumenteve” dhe për Flora Dodën që akuzohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal akuzohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli.

Siç thuhet në aktakuzë, përmes të akuzuarit Ardian Krasniqi disa herë të njëjtit kanë pranuar të holla, duke arritur shifrën prej 40 mijë euro, si dhe dhuratë, një veturë në vlerë prej 25 mijë euro, për asistenten e të akuzuarit Lavdim Krasniqi, të akuzuarën Marigonë Berisha.

E që këto përfitime sipas aktakuzës, janë pranuar nga të lartcekurit duke premtuar se do të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në Kolegjin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, për uljen e dënimit, sipas Kërkesës për Mbrojtje të ligjshmërisë, për të dënuarin Bashkim Mulolli, si dhe të shtyhet ekzekutimi i dënimit për te njëjtin.

Me këto veprime prokuroria i ngarkon ata se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Tutje, prokuroria i ngarkon Marigonë Berishën dhe Ardian Krasniqi se veç e veç kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Sipas aktit akuzues, e akuzuara Berisha më 16 dhjetor 2019 kishte falsifikuar dokumentin më të cilin ajo pretendonte se në zyrën e noterit Safadin Blakaj i ka paguar Bashkim Mulollit shumën prej 8 mijë e 400 euro dhe dënimet kundërvajtëse në vlerë 600 euro, e që më pas është konstatuar se nënshkrimi i Mulollit në këtë dokument nuk është i tij.

Ndërsa, Ardian Krasniqi po akuzohet se më 19 gusht 2020 kishte falsifikuar testin e COVID-it me të dhënat e Bashkim Mulollit, se kinse ky i fundit kishte rezultuar pozitiv, më të cilin test do t’i mundësohej të njëjtit shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Tutje, aktakuza Lavdim dhe Ardian Krasniqin i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktin akuzues thuhet se dy të akuzuarit Krasniqi, për shkak të obligimeve që kishin ndaj Bashkim Mulollit kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që kishin penguar arrestimin e Albi Mulollit i cili ishte i dyshuarit për kryerjen e vrasjes se rënde në tentative, duke ia mundësuar këtij të fundit arratisjen nga Kosova për në Shqipëri më veturën zyrtare të akuzuarit Lavdim Krasniqi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Lavdim Krasniqi ngarkohet edhe për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje me Flora Dodën, pasi që në cilësinë e personave përgjegjës kishin shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik.

Prokuroria pretendon se në muajin shkurt të vitit 2021, të akuzuarit Krasniqi dhe Doda, kanë predikuar fituesin dhe kanë diskriminuar operatorët e tjerë ekonomik, duke favorizuar operatorët ekonomik (OE) “Graniti Shpk” dhe “Solos Studios“ si dhe përkundër vendimit të Sekretariatit të KPK-së, në fillim të vitit kalendarik, i cili në kuadër planifikimit të prokurimit kontrata e KPK-së ka qenë e lidhur me OE, “Mobeland Shpk”. Të njëjtit kanë porositur dhe pranuar mobile në vlerë prej 9 mijë e 480 euro, e që pas disa ditësh është lidhur kontrata dhe janë zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, Lavdim Krasniqi akuzohet edhe për mosdeklarim të pasurisë, pasi që sipas prokurorisë, i akuzuari Krasniqi më 31 mars 2020 në deklaratën për deklarim të pasurisë nuk ka përfshirë shumën e të hollave prej 40 mijë euro, të cilat i ka pranuar nga Fitim Arifi për shitjen e banesës, si dhe të hollat në shumën prej 10 mijë euro, të cilat ia ka dhënë mikut të tij Alush Zariqi, në emër të blerjes së dy banesave.

Krejt në fund prokuroria e ngarkon Marigonë Berishën edhe për veprën penale ”Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”, sepse më 16 dhjetor 2019 e ka pranuar një veturë në vlerë prej 25 mijë euro nga Bashkim Mulolli edhe pse ka qenë e vetëdijshme se kjo veturë ishte fituar më vepër penale të shkaktuar nga Lavdim dhe Ardian Krasniqi.

Në trend Lajme

Më shumë
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Faton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyrtarëve të tjerë të LDK-së

Faton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyrtarëve të tjerë të LDK-së

Drejtësi
Njohësit e politikës: Gjuha mes Osmanit e Kurtit pritet të ashpërsohet

Njohësit e politikës: Gjuha mes Osmanit e Kurtit pritet të ashpërsohet

Lajme
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Kalo në kategori