Pamjet e tmerrshme nga transmetimi i drejtpërdrejtë i një shërbese kishtare, treguan momentin kur familjet e shqetësuara filluan të vraponin për të shpëtuar jetën e tyre kur një person hapi zjarr.

Kisha CrossPointe në Wayne, Michigan, po mbante meshën e së dielës në mëngjes kur një burrë i bardhë 31-vjeçar papritmas përplasi kamionin e tij në ndërtesë dhe filloi të qëllonte drejt kongregacionit të tmerruar brenda.


Departamenti i Policisë së Michiganit konfirmoi se i dyshuari i paidentifikuar u vra në vendngjarje nga roja e sigurisë së kishës. Një person u qëllua në këmbë, transmeton Telegrafi.

Videoja rrëqethëse, e publikuar për herë të parë nga degë e NBC-së, ClickOnDetroit, tregoi se besimtarët e kishës papritmas e kuptuan terrorin që po ndodhte dhe vrapuan drejt derës.

Fëmijë të vegjël u panë në skenë me prindërit e tyre, përpara se një anëtar t'i drejtohej kongregacionit të "zbriste" dhe të vraponte në pjesën e prapme të ndërtesës.

Britma drithëruese "hajde, hajde" u dëgjuan ndërsa fëmijët dhe të rriturit ikën për të shpëtuar jetën e tyre.

Një zëdhënës i departamentit të policisë tha se agjenci të shumta po hetojnë vendin e ngjarjes dhe u kanë kërkuar banorëve të qëndrojnë larg zonës.

Të shtënat ndodhën rreth orës 11:15 të mëngjesit, rreth gjysmë ore pasi filloi shërbesa.

Një nga pastorët e kishës, Bobby Kelly Jr, i tha The Detroit News se një anëtar e shtypi personin që kishte qëlluar me armë, duke i dhënë rojës së sigurisë një shans për t'i qëlluar.

Kelly shtoi se kishte rreth 150 persona të pranishëm në shërbesën e shkollës biblike të pushimeve. Shumë nga pjesëmarrësit ishin fëmijë. /Telegrafi/