Gjini letër Nagavcit, i propozon si të bëhet kompensimi i orëve të humbura

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i ka dërguar letër ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci lidhur me kompensimin e orëve të humbura.
Gjini në një postim në Facebook bën të ditur se për këtë çështje të enjten i ka dërguar letrës ministres, ndërkaq ende nuk ka marr përgjigje.
Lexoni të plotë shkrimin e Gjinit: Orët e humbura të mësimit duhet të kompensohen gjatë ditëve të punës, jo në fundjavë dhe gjatë ditëve të pushimit Ministria e Arsimit duhet ta ndryshojë vendimin për kompensimin e orëve të punës të humbura gjatë grevës. Orët e punës duhet të kompensohen, por jo gjatë fundjavës dhe ditëve të pushimit. Fillimisht, fëmijët do të stërlodhen. Edhe familjet e tyre. Së dyti, për shkak të pasigurisë që na pret si pasojë e krizës energjetike, shpenzimi i energjisë do të jetë shumë më i lartë dhe me rrezik të pamundësisë për t’i ngrohur shkollat. Edhe bartja e nxënësve, që është obligim ligjor i yni, do të jetë më e vështirë për shkak të çmimit të karburantit. Prandaj orët duhet kompensuar gjatë ditëve të punës, pesë orë shtesë në javë për çdo klasë dhe nxënës deri në kompensimin e plotë. Për këtë, dje ia kam dërguar një letër ministres së arsimit dhe nuk kam marr përgjigje. /Telegrafi/




















































