Në Komunën e Gjilanit janë përfunduar disa ndërhyrje infrastrukturore që sigurojnë qasje më të lehtë dhe të barabartë për personat me aftësi të kufizuara në hapësirat e administratës komunale.

Para zyrave të Drejtorisë për Administratë dhe Drejtorisë për Shërbime Publike është rregulluar hapësira hyrëse, duke krijuar kushte më të përshtatshme për lëvizje.


Vetëm disa ditë më parë është vënë në funksion edhe ashensori i ri i dedikuar posaçërisht për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa janë rinovuar dhe përshtatur tualetet që plotësojnë standardet e nevojshme për këtë kategori qytetarësh. Po ashtu, sporteli i veçantë në Gjendjen Civile tashmë u ofron atyre shërbime më të shpejta dhe pa vonesa, përcjell Telegrafi.

Fadil Ademi, ushtrues detyre i shefit të sektorit të Gjendjes Civile në Drejtorinë e Administratës, tha se përmirësimet e bëra janë të vogla në kosto, por me ndikim të madh për qytetarët.

“Sigurojmë qasje të barabartë dhe të lehtë në hyrje të Drejtorisë së Administratës dhe Shërbimeve Publike, duke krijuar kushte më të mira për të gjithë qytetarët. Vazhdojmë me kryetarin Alban Hysenin”, u shpreh Ademi.

Komuna e Gjilanit ka paralajmëruar se investime të tjera në aksesueshmëri do të vazhdojnë edhe në hapësira të tjera publike. /Telegrafi/