Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe drejtorin komunal të Arsimit, Shpend Nuhiu, ka vizituar sot dy prej çerdheve të qytetit, të cilat pritet të jenë së shpejti në shërbim të fëmijëve.

Hyseni njoftoi se objekti i çerdhes në lagjen 8 tashmë është përfunduar, por përurimi i saj po vonohet për shkak të mosfinalizimit të kuzhinës si pasojë e mungesës së buxhetit, përcjell Telegrafi.




Sa i përket çerdhes së gjashtë të re në qytet, kryetari bëri të ditur se punimet po ecin me ritëm të shpejtë dhe pritet të përfundojnë brenda këtij viti, ndërsa vitin e ardhshëm objekti do të jetë gati për të pritur rreth 100 fëmijë.

“Synimi ynë është që të rrisim kapacitetet e institucioneve parashkollore dhe të krijojmë kushte sa më të mira për fëmijët e Gjilanit”, theksoi kryetari Hyseni gjatë vizitës. /Telegrafi/