Parlamenti i Gjermanisë ka votuar për të zbatuar ndryshime të mëdha në rregullat evropiane të azilit, të cilat do të vendosin kontrolle më të rrepta migrimi dhe do të përshpejtojnë dëbimin e azilkërkuesve të refuzuar.

Bundestagu miratoi masat me 309 vota pro dhe 260 kundër, me dy abstenime.


Koalicioni qeverisës i kristian-demokratëve dhe social-demokratëve mbështeti legjislacionin, ndërsa partia e ekstremit të djathtë AfD votoi kundër tij.

Ministri i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt mbrojti rregullat e reja gjatë debatit parlamentar, duke theksuar se qeveria po forcon politikën e migracionit dhe po dërgon një mesazh të qartë, së bashku me partnerët e BE-së, se Evropa po ashpërson qasjen e saj ndaj migracionit.

"Në këtë sistem ka tre shtylla kryesore. Kufijtë e jashtëm të BE-së do të mbrohen më mirë. Shtylla e dytë, sistemi i Dublinit, do të bëhet sërish funksional", tha ai duke iu referuar rregullave të BE-së që kërkojnë që azilkërkuesit të qëndrojnë në vendin e parë të BE-së ku hyjnë derisa kërkesat e tyre të shqyrtohen.

"Shtylla e tretë është solidariteti. Ne nuk do t'i braktisim vendet në kufijtë e jashtëm", tha ai duke premtuar se të gjitha vendet anëtare të BE-së do të ndajnë barrën, qoftë duke zhvendosur azilkërkues ose duke ofruar kontribute financiare.

Legjislacioni zbaton reformat e sistemit të azilit për të cilat vendet anëtare të BE-së ranë dakord në maj të vitit 2024.

Sipas rregullave të reja, të gjithë azilkërkuesit që mbërrijnë do t'i nënshtrohen kontrollit të identitetit ndërsa aplikimet nga shtetas të vendeve me shkallë të ulët njohjeje do të përpunohen në kufijtë e jashtëm të BE-së.

Legjislacioni autorizon shtete federale gjermane të krijojnë qendra për migracion dytësor, objekte të projektuara për të strehuar azilkërkues që kanë hyrë në BE përmes një shteti tjetër anëtar, ku ata tashmë kanë paraqitur kërkesë për azil.

Ata për të cilët një vend tjetër i BE-së mban përgjegjësi ligjore do të detyrohen të qëndrojnë në këto qendra derisa rastet e tyre të shqyrtohen. /AA/