LAJMI I FUNDIT:

Gjermania, Franca dhe Italia në recesion ekonomik

Gjermania, Franca dhe Italia në recesion ekonomik

Ekonomia e Gjermanisë u tkurr me ritmin më të shpejtë që nga kriza financiare botërore e viteve 2008-2009 në tre muajt e parë të vitit, me Prodhimin e Brendshëm Bruto që u tkurr me 2.2 për qind krahasuar me tremujorin e kaluar.

Zyra gjermane e Statistikave tha se konsumi i familjeve ra ndjeshëm dhe po të njëjtën tendencë patën edhe investimet në makineri e pajisje, ndërsa importet dhe eksportet “panë një rënie të fortë” krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar, përcjell Telegrafi.

Thënë kjo, tkurrja në tremujorin e parë, ishte e dyta më e madhe që nga ribashkimi gjerman në vitin 1990.


Të dhënat e rishikuara të Prodhimit të Brendshëm Bruto, treguan se ekonomia e vendit u tkurr edhe në tre muajt e fundit të vitit të kaluar, që do të thotë se ekonomia më e madhe në Eurozonë tani është zyrtarisht në recesion. Kjo sipas parimit që një ekonomi me dy tremujorë radhazi në rënie ekonomike quhet tashmë në recesion.

Gjermania i bashkohet kështu Francës dhe Italisë në rënien e thellë ekonomike, megjithëse e mbylli tremujorin e parë në gjendje më të mirë se dy ekonomitë e tjera.

Prodhimi i Brendshëm Bruto i tremujorit të parë ra në 5.8 për qind në Francë dhe me 4.7 për qind në Itali. Arsyeja? Gjermania nuk imponoi masa aq të rrepta të distancimit shoqëror dhe mbylljes ekonomike sa dy vendet e tjera dhe plus kësaj, ato u aplikuan relativisht vonë në 22 marsit. Por më e keqja nuk ka ardhur ende! /Telegrafi/