LAJMI I FUNDIT:

Gjermania dhe Franca kërkojnë reformimin e rregullave të konkurrencës brenda BE-së

Gjermania dhe Franca kërkojnë reformimin e rregullave të konkurrencës brenda BE-së

Gjermania dhe Franca po kërkojnë të reformojnë rregullat e konkurrencës të Bashkimit Evropian për të lehtësuar krijimin e kompanive udhëheqëse në shkallë botërore.

Ministrat e ekonomisë të të dy vendeve njoftohet se janë pajtuar të zbatojnë një politikë të re industriale evropiane.

“Ekonomia ndërkombëtare është e ndërthurur dhe për këtë arsye ne duam që të shmangim luftërat tregtare nëse është e mundur, por kjo gjithashtu do të thotë që duhet të jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona nëse jemi nën trysni në një mënyrë më të padrejtë”, thotë ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier.


Ministri francez i Ekonomisë dhe Financës, Bruno Le Maire, tha se Evropa nuk duhet të heqë dorë kurrë nga dy teknologjitë kyçe.

“Ka dy teknologji të rëndësishme: bateritë dhe makinat vetëlëvizëse. Nëse braktis këto dy teknologji, braktis industrinë tënde të automjeteve, sepse varesh nga furnizimi nga jashtë, që mund të rritë çmimet ose të të privojë nga kjo teknologji”, tha Le Maire.

Të dy vendet thuhet se po përgatisin një projekt për të krijuar një konsorcium për bateritë e makinave. /Telegrafi/