LAJMI I FUNDIT:

Gjenealogjia e humorit

Gjenealogjia e humorit

E qeshura jo vetëm që është e lidhur me një ndjenjë superioriteti, por edhe me një ndjenjë empatie… Më poshtë mund të lexoni thënie, për humorin, nga disa nga mendjet më të zgjuara të njerëzimit!

Pse qeshim?
Lexo po ashtu Pse qeshim?

Sokrati
Humori rrjedh nga një mungesë njohjeje e vetvetes.

Aristoteli
Në fakt, e qeshura është shpoti dhe dëshmon ndjesinë e superioritetit të atij që e përdor përkundër objektit të tallur. Kur qeshim, manifestojmë gëzimin tek vërejmë se nuk jemi prekur nga e keqja të cilën e përbuzim.


Thomas More
I mbyllur ne Kullën e Londrës, në pritje të dënimit me vdekje, filozofi heretik kërkoi “dhuntinë që do e bënte të qeshte me një shaka, të merrte një copëz gëzimi nga jeta, por duke ua dhuruar edhe të tjerëve. “O Zot, u lut ai, më jep humor!”

Thomas Hobbes
E qeshura është demonstrim superioriteti përballë të shpotiturit, fatkeqësive apo gabimeve të tij. Mund të qeshet edhe me fatkeqësitë e vetes, gjithnjë nëse kanë kaluar tashmë, ose edhe me ndonjë sukses të papritur. Pra, qeshim vetëm nëse ndihemi superiorë përballë objektit të shpotisë.

Imanuel Kant
Qeshet me keqkuptimin, me pritjet e lodhshme ose me transformimin e papritur të një pritjeje të madhe në hiç. Humori konsiston në shpërbërjen e dhunshme të një qëndrimi emotiv, e shkaktuar shpesh nga futja e një diçkaje që nuk duhet të ishte atje, e një elementi që tërheq vëmendjen, i cili i përket një dhomëze të ndryshme të trurit tonë. Teza e filozofit mund përmblidhet në këtë histori: “Një tregtar kthehej nga India me gjithë mallrat e tij. Në det e zuri një furtunë dhe e vetmja mënyrë për të shpëtuar ishte që të hidhte gjithë mallin në det. Por tek shihte gjithë mallin e hedhur në det, atij iu bë parukja ngjyrë gri nga tërbimi”.

Arthur Schopenhauer
Humori është si një silogjizëm, i cili në pjesën më të madhe shpreh një pohim të padiskutueshëm dhe në pjesën më të vogël një të papritur, të vlefshëm vetëm për dukjen, por në thelb të gabuar. E qeshura varet nga fakti i të gjendurit përpara një lidhje të papritur idesh. Shembull? “Cili është këndi mes një rrethi dhe tangjentes së tij?”

Alexander Bain
E qeshura jo vetëm që është e lidhur me një ndjenjë superioriteti, por edhe me një ndjenjë empatie. Pra, qeshim edhe nëse dikush afër nesh e bën një gjë të tillë. Së fundi, mund të qeshet jo vetëm me dikë, por edhe me një mendim, me një institucion politik, pra me gjithçka që në vetvete kërkon dinjitet dhe respekt. Kjo sepse e qeshura është e lidhur ngushtë me poshtërimin e diçkaje.

Herbert Spencer
Ajo që shkakton ilaritet është kontrasti mes diçkaje ekzaltuese, ose gjithë dinjitet dhe diçkaje që bëhet objekt shpotie. Përballë këtij kontrasti njerëzit përgjigjen duke çliruar energji nervore, e cila buron nga fakti i të gjeturit “të diçkaje të paduhur, brenda një konteksti siç duhet”.

Henri Bergson
Personazh qesharak është një njeri që ka një fiksim, një ide fikse, si ai nëpunësi i doganës që me guxim hidhet në det për të shpëtuar ekuipazhin e një anijeje të mbytur, por që pasi i shpëton marinarët, i pyet: “Keni ndonjë gjë për të deklaruar?” E qeshura lidhet në mënyrë të dyfishtë me qenien njerëzore si e vetmja kafshë që qesh, por edhe si e vetmja që shkakton ilaritet. E qeshura dhe humori janë pra mekanizma që e gjejnë justifikimin e tyre në jetën shoqërore. Për të treguar dhe kuptuar një anekdotë apo një histori komike duhet të ndiqen disa rregulla. Kështu, ai që nuk ka sens humori dhe nuk i kupton këto rregulla, nuk ka sesi të dijë të luajë me të tjerët.

Sigmund Freud
Humori është mjeti me anë të të cilit mund të kapërcehen me dredhi ndalimet e brendshme që pengojnë të shfryjmë disa impulse natyrore. Me anë të qeshurit mund të dalin në dritë dridhje seksuale, agresive, cinike apo skeptike, por edhe të vërtetat që nuk mund t’i rrëfehen askujt, si ajo e një zonje e cila, sipas atit të psikanalizës, i tha bashkëshortit: “I dashur, kur njëri nga ne të dy do të vdesë i pari, unë do shkoj të jetoj në bregdet”. /Telegrafi/