Site icon Telegrafi

Gjashtë mënyra të thjeshta se si të hiqni njollat nga veshjet dhe mobiliet

Me siguri që të paktën një herë në jetë e keni provuar atë stresin tipik të njollave në rroba, në tapet, në mobilie etj.

Paniku bëhet “aleti” juaj në ato momente, por të dish si të trajtosh njollat nuk është gjithnjë e lehtë, pavarësisht se njihni llojin e materialit kur bëhet fjalë për veshje, kolltuk, tapet, apo edhe sipërfaqet e drurit të mobileve dhe jo vetëm.

Ja disa praktika të arta që do e bëjnë më të lehtë procesin e zhdukjes së njollave për ju!

1. Veproni shpejt

Nëse doni të keni sukses me heqjen e njollave, sekreti qëndron te reagimi i shpejtë. Sa më shpejt t’i trajtoni ato, aq më shumë do e minimizoni dëmtimin në copa, veshje, mobilie etj. Kur ju veproni direkt me njollat, kjo ul mundësinë e përhapjes dhe futjes së tyre në fibrat e veshjeve, pra heqja e tyre bëhet edhe më e lehtë.

2. Kurrë mos e fërkoni vendin e njollave

Ky si veprim mund ta shtyjë njollën në fijet më të thella të copës duke e përhapur edhe më shumë. Për ta shmangur si efekt, thjesht lyejeni me një ilaç rrobash apo enësh vendin e njollës, lëreni për disa minuta dhe më pas shpëlajeni, shkruan Homes & Gardens.

3. Zgjidhni produkte profesionale

Vaji, kafeja, vera e kuqe, ushqimi dhe të gjitha njollat që mund të ndodhin si pasojë e këtyre kërkojnë solucione të posaçme. Pra, duhet një lloj pastruesi që ndikon le të themi në pH e salcës së domates në mënyrë efektive duke e shpërbërë njollën. Njollat e gjakut mund të trajtohen me kripë dhe ujë të ftohtë, ndërsa njollat vajore duan solucione të dedikuara që shpërbëjnë vajin dhe heqin njollat më lehtësisht.

4. Uji i ftohtë në vend të të ngrohtit

Nëse nuk keni të bëni me një njollë yndyre, uji i ngrohtë rrallë nevojitet për të hequr njollat. Uji i ftohtë ose në temperaturën e ambientit është shpesh më i miri. Ky i fundit preferohet më shumë në trajtimin e njollave të gjakut, verës apo nga ushqime të tjera, pasi uji i ngrohtë mund të dëmtojë disa lloj copash. Ju e përdorni atë vetëm nëse doni të hiqni njollat nga materialet e forta si pllakat, qelqi apo metali.

Lexo po ashtu S’ka asnjë njollë që nuk mund të hiqet! Mjeshtri zbulon truket, nga rrobat te lavamani

5. Peshqirë për heqjen e njollave

Si rregull, njollat duhet të fshihen me një letër të thatë, e më pas me një copë. Por, ekspertët thonë se peshqirët janë më të mirë për të hequr njollat dhe jo sfungjerët që mund t’i përhapin edhe më shumë ato, citon Anabel.

6. Lexoni udhëzimet

Mos harroni të lexoni udhëzimet e çdo pastruesi të njollave përpara se ta përdorni. Disa mund të kenë udhëzime mbi sasinë apo mënyrën specifike të aplikimit, e të tjerë mund të kërkojnë vendosjen e dorezave në duar për të mos i dëmtuar ato. Nëse nuk jeni i/e sigurt, si fillim mund ta provoni pastruesin në një pjesë jo të dukshme të veshjes apo mobilies dhe më pas e aplikoni në njollën reale. /Telegrafi/

Exit mobile version