Ministrja e Punëve të Jashtme e të Diasporës, Donika Gërvalla, duke folur për ambasadorin Martin Berishaj theksoi se, përveç fjalëve, nuk ka asnjë dëshmi të vetme që të mund të merren masa për shkarkimin e tij nga funksioni i ambasadorit.
“Kam shikuar me kujdes të gjitha letrat që qarkullojnë, duke përfshirë edhe ato bankare sllovene e malazeze dhe kam ardhur në përfundim që për shkak të fjalëve e fushatave nuk është e përgjegjshme nga ana ime dhe nuk mund të largoj një ambasador, i cili bën një punë jashtëzakonisht të mirë në Kroaci”, deklaroi Gërvalla, për RTK.
Ajo mes tjerash, shtoi se po qe se ato të thëna fjalësh, fushata, dalin të faktuara, unë nuk do ta kurseja jo vetëm ambasadorin Berisha, por askënd.
“Nuk kam ardhur nga Gjermani për ta kursyer dikë, por nuk kam të drejtë që t’i bashkohem fushatave pa argumente për të denigruar personalitetet”, sqaroi Gërvalla.
Ajo ka folur edhe për qeverisjen Kurti, me theks të veçantë në dikasterin që ajo udhëheq, Ministrinë e Jashtme dhe për Diasporë.
Progresi në demokratizmin e vendit, sipas ministres Gërvalla, është i dukshëm, teksa përmendi një sërë asociacionesh ndërkombëtare që monitorojnë punën e qeverisjes në vende të ndryshme gjithandej botës.
“Ka një pajtim nga të gjithë ndërkombëtarët sa i përket sundimit të ligjit dhe ngritjes së standardeve të demokracisë Kosova ka një përparim të jashtëzakonshëm, ndonëse jemi shumë larg nga perfeksioni”, tha ajo.
Ajo më tej theksoi se masat e marra tani është e rëndësishme të mund të arrihen rezultate në aspektin afat-shkurtë e afatgjatë, teksa përmendi shërbimin diplomatik, që, sipas saj, ka ndryshuar shumë gjatë udhëheqjes së saj, por që, siç u shpreh ajo, ka nevojë të punohet ende shumë.
“Ligjshmëria është vënë në vend në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe ristrukturimi i nevojshëm”, tha ministrja Gërvalla.
Ajo foli edhe për investime nga jashtë, ndonëse në to është përfshirë diaspora shqiptare.
Sipas saj sundimi i ligjit, stabiliteti e siguria janë shtylla për të investuar në Kosovë për secilin investitor.