Site icon Telegrafi

Gerta Gixhari skualifikohet nga Big Brother VIP Albania 4

Mbrëmja e sotme në Big Brother VIP Albania solli një moment dramatik, pasi u hap zarfi i zi që përmbante vendimin për incidentin mes Gjestit dhe Gertës.

Vëllai i Madh ka njoftuar se pas analizimit të situatës dhe shqyrtimit të pamjeve, është marrë një vendim i prerë: “Veprimi i Gertës konsiderohet i pajustifikueshëm dhe për këtë arsye ajo skualifikohet nga gara”.

Ky vendim erdhi pas debatit të madh që u krijua brenda dhe jashtë shtëpisë, pas incidentit ku Gerta e lagu Gjestin me alkool në fytyrë, duke i shkaktuar probleme në sy dhe duke e detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore.

Në momentin e leximit të zarfit të zi, banorët u shfaqën të emocionuar dhe të tensionuar, ndërsa Gerta e pranoi vendimin pa kundërshtime të mëdha. Ajo u shpreh se nuk kishte dashur të dëmtonte Gjestin dhe se e konsideronte këtë si një moment loje, por Vëllai i Madh ishte i qartë se një veprim i tillë nuk mund të tolerohet.

Me këtë vendim, Gerta bëhet banorja e parë e skualifikuar nga edicioni i katërt i BBVA, duke sjellë një kthesë të papritur në rrjedhën e lojës.

A do të ndryshojë dinamika e shtëpisë pas largimit të saj? Mbetet për t’u parë në episodet e ardhshme të spektaklit. /Telegrafi/

Exit mobile version