Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, qëndroi në Tiranë ku ka takuar homologen e tij nga Shqipëria, Mirela Kumbaro Furxhi.
Gashi dhe Kumabaro kanë diskutuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis dy ministrive përkatëse në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe atë të së drejtës së autorit, duke krijuar hapësira dhe mundësi për intensifikim e bashkëpunimit edhe mes skenës së pavarur kulturore të të dyja vendeve.
Ndër temat konkrete të bashkëpunimit të dy ministrive të kulturës për vitin 2018 u nënvizua nënshkrimi i kalendarit të përbashkët kulturor, si një traditë e mirë dhe shumë domethënëse për kulturën në të dyja vendet, gjë e cila do të ndodhë brenda muajit shkurt.
Gashi ka kërkuar nga ministrja shqiptare “huazimin” e disa eksponateve që i përkisnin heroit kombëtar Isa Boletinit, për të qenë pjesë e ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës, që do të hapet më 17 shkurt – përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë së Kosovës. /Telegrafi/