LAJMI I FUNDIT:

Garat ndërkombëtare, synim i atletit Tirron Mamusha

Garat ndërkombëtare, synim i atletit Tirron Mamusha

Atleti nga Gjakova, Tirron Mamusha kalendarin e garave në vitin 2024, e ka nisur në shkurt kur mori pjesë në maratonën e Splitit duke u pozicionuar i në vendin e 3-të, për të vazhduar më pas me pjesëmarrjen e tij në “Trikala Half Marathon” në Greqi ku po ashtu u pozicionua në vendin e tretë.

Vendi i 5-të i takoi Mamushës në maratonën e Beratit, e cila këtë vit kishte edicionin e saj të dytë, me misionin  “Vrapo për të mbrojtur mjedisin” , ku pjesëmarrës në këtë maratonë ishin 400 sportistë profesionistë dhe amator, nga 30 shtete të botës.


Ndërsa Mamusha garën më të rëndësishmë në të cilën ka marrë pjesë deri më tani për gjatë këtij viti, e cilëson maratonën e Vjenës, ku në mesin e 41 mijë garuesve, në shtegun me gjatësi prej 21 km Mamusha arriti të pozicionohet në vendin e 12-të.

Me 27 korrik Mamusha do të marrë pjesë në edicionin e dytë të gjysmë maratonës Lin – Pogradec, ku në edicionin e parë të kësaj gjysmë maratone ishte pikërisht atleti nga Gjakova që u pozicionua i pari, garë për të cilën Mamusha tha që do të jetë një përgatitje shtesë për gjysmë maratonën “BMW Oslo”, ku Mamusha është ftuar të marrë pjesë në kategorinë “Elite Runner”.

Ndër të tjera Mamusha për Telegarfin tha se  deri në fund të këtij viti synon që të marrë pjesë në sa më shumë gara ndërkombëtare, në të cilat shpreson të arrijë rezultate sa më pozitive.