LAJMI I FUNDIT:

Fuqia e Listës Serbe rezultat i mosmarrëveshjeve të partive shqiptare

Fuqia e Listës Serbe rezultat i mosmarrëveshjeve të partive shqiptare

Fuqia e Listës Serbe për të ndikuar proceset politike në Kosovë, do të varet nga raportet ndërmjet subjekteve politike shqiptare dhe qasjes së tyre për formimin e përbërjeve të reja të institucioneve të larta të vendit, vlerëson Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica.

Se cila do të jetë fuqia e Listës Serbe për të arritur qëllimet në kuadër të institucioneve të Kosovës, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, do të varet nga ndarja e resorëve dhe përbërja e qeverisë së ardhshme, thotë Verolub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”.

Më 16 mars, përfaqësuesit e Listës Serbe janë takuar me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pretendon një mandat të plotë në këtë pozitë, si dhe me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është kandidati i kësaj partie për kryeministër të vendit.


Pas takimit, Lista Serbe nuk ka precizuar nëse deputetët e saj, të cilët kanë siguruar të dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në kuvend, do ta votojnë ose jo qeverinë apo presidentin e ri.

Pas takimit me Kurtin dhe Osmanin, përmes një njoftimi për media, Lista Serbe ka thënë se si përfaqësuese legjitime e komunitetit serb, është e “gatshme për konsultime dhe bisedime me qëllim të avancimit të kushteve në të cilat jetojnë serbët në Kosovë dhe se të gjitha partitë e tjera, që ndajnë këto qëndrime, do ta kenë Listën Serbe për bashkëbiseduese”.

Gjatë qeverisjes së kaluar të Kurtit, e cila zgjati 50 ditë, Lista Serbe pati marrë një ministri, e cila i garantohej me kushtetutë, por ajo nuk ishte pjesë e koalicionit qeverisës.

Zgjedhja e presidentit, rast për imponime nga Lista Serbe

Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica, në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar për deputete në kuadër të Iniciativës qytetare “Për liri”, por nuk ka arritur të bëhet deputete. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se përpjekjet e Listës Serbe për ta shtuar ndikimin e saj politik në institucionet e Kosovës, janë parë pikërisht gjatë zgjedhjeve. Një gjë e tillë është faktuar, siç thotë ajo, edhe me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe të Gjykatës Supreme, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Sipas saj, Lista Serbe është përpjekur që përmes votave të orkestruara të serbëve në komunat ku ata janë shumicë në Kosovë, të sigurojë mandate për deputetë për subjektet politike të komuniteteve tjera joshumicë, në mënyrë që më pas të ketë lojalitetin e tyre në, siç e quan ajo, “lojën me numra”, në kohën kur do të zgjedhet presidenti i vendit. Por, sipas saj, fuqia e Listës Serbe mund ta ketë shtratin tek mosmarrëveshjet ndërmjet subjekteve politike shqiptare.

“Në qoftë se partitë shqiptare do të bëjnë shantazhe gjatë zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe në qoftë se atë hapësirë e shfrytëzon Lista Serbe, që përmes votave të saj të përmbushë disa kuota për zgjedhjen e presidentit, si dhe në këtë mënyrë të nxjerrë përfitime për vete, atëherë kjo është çështje për zotëri Kurtin. Pra, a do ta pranojnë ai dhe zonja Osmani këtë apo do të shkojnë drejt asaj që me pakicat tjera dhe partitë shqiptare të gjejnë kompromis për kompletimin e institucioneve të Kosovës”, tha Trajkoviq.

Ajo shtoi se për mendimin e saj, do të ishte mirë dhe e dëshirueshme që në krye të institucioneve të vendit, qoftë në presidencë, qoftë në krye të qeverisë, të vijnë njerëz që nuk kanë qenë më herët në pushtet dhe ndaj të cilëve nuk mund të bëhet shantazh. Të tillët, sipas saj, nuk do të lejonin ndikime në zhvillimet politike në Kosovë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilit, siç thotë ajo, “është duke i perënduar karriera politike”.

Petroniq: Lista Serbe e gatshme për bashkëpunim

Verolub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga bisedat që Lista Serbe ka pasur me Kurtin dhe Osmanin, nuk janë specifikuar detajet. Por, sipas tij, në një mënyrë Lista Serbe e kanë bërë të ditur se nuk do të pengojë formimin e qeverisë dhe nga kjo del se përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, nuk janë shumë të interesuar se çfarë përbërje do të ketë qeveria e re, marrë parasysh që një vend ministror e kanë të garantuar me kushtetutë, në rast se ekzekutivi do t’i ketë 12 dikastere. Megjithatë, sipas tij, sikurse edhe në të kaluarën, kundërshtimet e Listës Serbe ndaj qeverisë do të vazhdojnë.

“Me siguri që ato do të ekzistojnë. Por, vetë fakti që përfaqësuesit e Listës Serbe kanë shkuar për të biseduar me Kurtin dhe me zonjën Osmani, flet se ata janë të gatshëm që të bashkëpunojnë sikurse edhe më parë”, tha Petroniq.

Pretendenti i vetëm aktualisht për kryeministër, Albin Kurti, më herët ka theksuar se nuk do të ketë koalicion qeverisës me Listën Serbe. Kurti këtë subjekt e ka konsideruar si dorë të zgjatur të Beogradit zyrtarë në Kosovë.

Trajkoviq: Lista Serbe ka humbur adutin e shantazhit

Por, a do ta ketë fuqinë e ndikimit Lista Serbe për të realizuar synimet e saj politike, duke mos qenë pjesë e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje?

Rada Trajkoviq shpreh mendimin që Lista Serbe do ta humbë fuqinë e ndikimit të saj, si dhe adutin me të cilin i ka shantazhuar qeveritë e deritashme, të cilat krijoheshin me koalicione, se do t’i tërheqnin serbët nga të gjitha institucionet e Kosovës në veri të vendit, në rast se nuk do të ishin pjesë e pushtetit.

“Unë mendoj që ajo (Lista Serbe) duhet ta humbë fuqinë dhe gjithsesi që do ta humbë. Por, në anën tjetër, mendoj që fuqinë më të madhe do ta humbte në qoftë se organet e Kosovës që merren me kriminalitetin, do të hynin në projektin e verifikimit të shpenzimit të parave të buxhetit në komunat me shumicë serbe. Kjo do të krijonte hapësirë që edhe disa serbë të tjerë, në perspektivë, në të ardhmen e afërt, të kenë shansin që të zëvendësojnë Listën Serbe”, tha Trajkoviq.

Se cila do të jetë fuqia e ndikimit të Listës Serbe në institucionet e Kosovës, sipas Verolub Petroniqit, mbetet të shihet pas formimit të qeverisë.

“Do të shohim se si duket kjo, sepse ne ende nuk kemi një pasqyrë se si do të duket qeveria e ardhshme. Vetëm kur të arrijmë te shpërndarja e disa posteve, do të shohim se sa do të ketë Lista Serbe fuqi të ndikimit në skenën politike të Kosovës. Më e besueshme është që do të mbetet jashtë (koalicionit) qeverisës. Por, nëse do të ketë disa përmbytje, këtë do ta shohim shumë shpejt”, theksoi Petroniq.

Lista Serbe, e cila është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi zyrtar, që nga formimi i saj në vitin 2014 e më pas, ka fituar bindshëm votat e komunitetit serb në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, duke i siguruar të 10 vendet e garantuara për komunitetin serb në kuvend.