Këngëtarja e mirënjohur dhe njëherësh deputete në Kuvendin e Kosovës, Edona Llalloshi, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një moment të veçantë, ku shihet në një fotografi së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe ikonën e muzikës shqiptare, Sabri Fejzullahun.

“Frymëzim/ndryshim”, ka shkruar Edona në përshkrimin e fotografisë, duke shtuar edhe hashtagët #lidership, #kulturë, #art – duke theksuar kështu rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit institucional ndaj zhvillimit kulturor.


Postimi i saj ka ngjallur menjëherë reagime pozitive nga ndjekësit, të cilët e kanë përshëndetur praninë e saj në skenën politike si një zë autentik nga fusha e artit.

Edona, përndryshe një nga emrat më të dashur të muzikës shqipe, është edhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt politik që udhëhiqet nga Albin Kurti.

Përfshirja e saj në jetën parlamentare është parë si një përpjekje për të sjellë ndryshim konkret, veçanërisht në sektorin e kulturës.

Në deklarata të mëhershme, Edona është shprehur se angazhimi i saj politik synon rregullimin e infrastrukturës kulturore në Kosovë dhe fuqizimin e artistëve në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/