LAJMI I FUNDIT:

Rrufe e flutur në përqafim

Rrufe e flutur në përqafim
Në foto: Rifat Kukaj (djathtas) me të birin Migjenin

Me vetëm 12 vjet moshe, ai do të marrë guximin që me postë “Pionierit” t’ia dërgojë vjershën e parë. Dhe, mrekullia ndodh: ajo botohet. “Reagimi ka qenë fantastik, unë kam qenë yll! Hasan Vokshi i ndjerë më dërgon dhjetë libra në pako si shpërblim e ‘çelësin e artë’. Shkoj në redaksi e ai, meqë kish menduar se jam mësues, u kënaq kur i dola nxënës.” Prej atëherë Rifati do të ngazëllejë gjenerata të tëra fëmijësh me mijëra vargje e rreshta, të veprave mes të cilave e ka zor të përcaktohet cilën e do më shumë… Ky shkrim është shkruar nga Dush Gashi, ndërsa është botuar më 2003 në Shtojcën “Jeta” të Javores Politike Shqiptare – “Zëri”.

Hop-hop/ kërceva një gropë,/ mora n’thua e rashë në përrua/ e u zgjova këmbëkacel/ e u futa në  zabel/ e zura një kokërrmel…

… Fjalë krejtësisht të njohura, që puçen po ashtu në rima të dëgjuara, po që me një ritëm të çuditshëm të bartin diku – sikur fizikisht e ndjen rënien apo ngritjen – në një botë të magjishme, e cila vetëm mund të ëndërrohet, po që sërish duket sikur e ke parasysh dhe mjafton vetëm të bësh një hap për t’u futur në të…


Dhe, vajza e kishte bërë atë hap të guximshëm: kishte kërcyer me të dyja këmbët mbi bangë dhe kishte thërritur: O, pash zotin, hajt edhe një vjershë!

Nga fëmijët e sotit, gjithsesi më të shlirshëm e më sherret, mund të priten pa çudi gjithfarë reagimesh, po jo edhe nga një vajzë e ndrojtur fshati e para tridhjetë vjetësh, “e veshur me dimi e xhemedan, dhe, oh zot, sa e bukur”, e cila kishte “humbur krejt”, duke shkuar mu në botën ku kish dashur ta çojë poeti… 

QERSHORËT E TMERRSHËM

Ndonëse gjatë krijimtarisë së tij të gjatë është nderuar me shumë çmime të rëndësishme letrare (ndër të cilët edhe me atë të Nermin Vlora Falaschit, e së voni me një diplomë prej Shoqatës së shkrimtarëve gjithëkombëtare për fëmijë e të rinj, porse mjaft të dashur e ka edhe atë “Ivan Goran Kovaçiq”, që ia kanë dhënë vetë fëmijët e Kroacisë, me anketë përmes Radio Zagrebit), mbase është ky një nga kujtimet më të dashura të Rifat Kukajt të përjetimit të drejtpërdrejtë të ngazëllimit me veprën e tij, kurse duhet të jetë i pafund numri i fëmijëve shqiptarë e të tjerë të më shumë se dhjetë gjuhëve, deri në Kinën e largët, që do të jenë magjepsur pas vargjeve të tij. Në vitin tashmë të largët 1983, kur ishte botuar monografia për shkrimtarët e Kosovës, me shënimet më elementare biografike dhe bibliografike të tyre, faqja e Rifat Kukajt është dukshëm më e gjatë edhe se e disa shokëve të tij të vokacionit me moshë më të vjetër se ai. Tash, në pesëdhjetëvjetorin e krijimtarisë, të cilin e ka shënuar sivjet, ajo faqe do të dilte edhe më e gjatë dhe, sipas të gjitha gjasëve, do të zgjatet edhe më. Si ka filluar të shkruajë Rifat Kukaj?

Ndoshta të gjithë shkrimtarët e kanë një çast, në të cilin vendosin prerë: unë do të bëhem shkrimtar. Rifati e di mirë këtë çast.

“Duke i ruajtur dhitë, në kodër, e lexoja ‘Lulet e Shëngjergjit’ të Prezhihov Vorancit, e po mendoja se dhe unë mund të shkruaj. I kisha 12 vjet. Libri e ka magjinë e vet, të tërheq]…”

I mbetur pa baba që në moshën 6-vjeçare, ai do të gjejë strehë te temat sociale të shkrimtarit të shquar slloven.

“Ka qenë një fëmijë jetim dhe duket se tema më ka prekur; ai nuk është dorëzuar, sikundër që s’jam dorëzuar as unë, dhe literatura më ka shpëtuar…”

Po me 12 vjet moshe, ai do të marrë guximin që me postë “Pionierit” t’ia dërgojë vjershën e parë. Dhe, mrekullia ndodh –  ajo botohet. “Reagimi ka qenë fantastik, unë kam qenë yll!.

Hasan Vokshi i ndjerë më dërgon dhjetë libra në pako si shpërblim e “çelësin e artë”. Shkoj në redaksi e ai, meqë kish menduar se jam mësues, u kënaq kur i dola nxënës.”

Nxënës i shkëlqyeshëm, po që dinte edhe ç‘janë njëshat, “të cilët mund t’i përmirësoja sakaq”, thotë se qershorët i ka pasur të tmerrshëm:

“I kisha të gjitha pesa, po s’kisha një baba që t’ia tregoja librezën”, thotë ai pothuej, me një emocion të fortë si atëherë.

Në shkollën e mesme, në orë të mësimit,  lexonte Lorkën, derisa profesorët e tij ende s’ia kishin dëgjuar emrin.

Gurrë e pashtjerrshme e frymëzimeve të tij, ndërkaq, do të jetë vendlindja e tij, “Drenica me 12 fise të gegnisë, ku bota shqiptare është e koncentruar dhe fondi i përrallave e krijimeve të tjera popullore është i madh. Meritën, prandaj, për krijimtarinë e tij, ai ia njeh popullit, i cili “është gjenerator”, derisa “krijuesi është vetëm një tel”.

SHTËPIA SI VELANIJE

“Pastaj rapsodët e Kopiliqit me lahutë e kavall. Krejt ciklin e këngëve të kreshnikëve e kam ditur përmedësh – ka vargje sa ‘Iliada’ e ‘Odiseja’ bashkë, që tash s’e di kush, as unë s’e di. Për 25 vjet e kam mbajtur në mend një rrëfim: Gjergj Elez Alia po lavron me parmendë, puna e mbarë, mbarë paç, ku i ka kullat Gjergj Elez Alia, e ai po e çon parmendën me gjithë qe, ja ku e ka… “

Tabanin e krijimtarisë së tij ai e sheh edhe te përrallat, për të cilat ka qenë i etshëm në fëmijëri, një etj. e kjo që s’iu ka shuar kurrë.

“Këto ditë lexoja ca përralla rome të botuara në Tiranë, aq kanë poetikë sa të mahnisin.”

Dhe, natyrisht, gjyshet, të cilat Rifati i kishte në shumës, po që kjo nuk i shpëtonte nga “torturat” e tij me kërkesat e pareshtura për t’i treguar përralla.

“Kemi qenë shtëpi e madhe patriarkale dhe kanë qenë shtatë-tetë gjyshe që kanë ardhur gjithmonë. Gjyshja ime, Zahide, 80 e sa vjeç, e drejtë si qiri, ka qenë fantastike. Ajo tregonte se si e ka parë njeriun të fluturojë! E, si ka ndodhur, ju tregoj unë: rogat, përmbi to rruga – e ka parë njeriun, po jo edhe biçikletën! E shkreta, kur e lodhja me përralla, e përsëriste refrenin e saj të njohur: ‘Përrallë jam bërë vetë!”
”Nëna ime ka vdekur me bindjen se ka parë Azem Bejtën të fluturojë me kali. Dhe, natyrisht se ka fluturuar: një rrugë e thellë, kryengritësit e kanë kaluar portën mbi të… Do t’i shkruaj këto më vonë. Gjyshet janë magji e mahnitshme.”

Tash, ka kohë që edhe ai është gjysh dhe kur nipërit vijnë uikendeve në shtëpinë e tij të lindjes, në Tërstenik –  të renovuar rishtas, po me bibliotekën e çmuar të humbur në pakthim –  ata shërbejnë edhe si “këshilltarë” letrarë, sugjerimet e të cilëve për të kanë vend të respektuar.

“Më pëlqen ajo që u pëlqen fëmijëve të sodit, janë të mprehtë dhe i respektoj vërejtet e tyre.”

Lindja e nipit të parë, ndërkaq, ishte një nxitje e mahnitshme për të krijuar me intensitet të lartë.

“Për herë të parë më ka ndodhur që për 15 ditë, të shkruaj një vëllim me poezi. E shihja bebe, e puthja dhe shkoja këmbë deri në Gërmi dhe krijoja një vjershë, mes dy puthjeve – derisa kthehesha – vjershën tjetër. Është e mahnitshme kur lind nipi, ai libër është shkruar vetë. Dy ballkonet atëherë nusja i kish mbushur me mnela të bardha (atëherë s’ka pasur pampersa!) dhe vjersha lindte vetvetiu: A i besojnë fqinjët e mirë/ Si punë kësaj mrekullie/ Në dy ballkona mnela shtrirë/ M’u ba shpija velanije!

DASHURIA E NDARË MËDYSH

Ai, megjithatë, e ka vështirë të përcaktohet për veprën e tij më të dashur, sepse për këtë konkurrojnë dy romanet e tij më të fundit, sa për realizimin e tyre artistik, aq edhe për mesazhin e tyre.

“Plot 12 herë e kam punuar ‘Gogozhelin e Gogoshinës’. Kam pasur për qëllim elementin antipërrallë, që then atë shabllonin e njohur për happy-endin e ditur, më në fund u takuan, jetuan të lumtur etj., etj. Unë kam dashur të them se lumturia nuk vjen pa vuajtje të mëdha – kjo është porosia e ‘Gogozhelit të Gogozhinës” .
”Mirëpo, nga ana tjetër, në asnjë mënyrë nuk po mund të shkëputem nga dashuria për ‘Zogun e bardhë’, e cila është një aventurë, po që e shquan të drejtën fëmijës që të ketë personalitetin e tij. Heroi i veprës, princi Largush, në mbretërinë Large, le gjithë atë rehati që e ka në pallat dhe hidhet pas një kali të bardhë dhe një zogu të bardhë; dëshiron të lirohet prej torturave, të ashtuquajturave kthetra të prindërve, që nganjëherë njëmend edhe janë kthetra, për ta gjetur veten dhe personalitetin e tij…”

Ditën kur e vizituam, sapo kishte një vepër të re, romanin-përrallë “Fshehtësia e breshkës”. “Gjeta një gojëdhënë të cilën e kishte shënuar e ndritshmja zonjushe Edith Durham, që nuk e ka shënuar askush në botën shqiptare…”

Me pamje djaloshare, Rifati është i lumtur se ende mund të punojë “me të njëjtin intensitet, me të njëjtën disiplinë dhe, ç‘është më e rëndësishme, me përgjegjësi më të madhe artistike”. Ndonëse në Kosovë pothuej se ende nuk është rikrijuar tregu i librit, ai është i kënaqur që me ndihmën e donatorëve mund të botojë dhe të shpërndajë libra. Shkrimtari që moto të krijimtarisë e ka “jeta është rrufe e flutur në përqafim”, që “baba-sheh” e konsideron Egzyperin, e që i çmon shumë Odhise Grilon, Bedri Dedjen, Adelina Mamaqin e Agim Devën, është i lumtur që fëmijëve mund t’u falë edhe buzëqeshje të tjera, pas atyre mijërave që ua ka dhuruar deri tash.

***

Mijëra buzëqeshje dhuruar fëmijëve

Rifat Kukaj u lind në fshatin Tërstenik të Drenicës, më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën Normale në Prishtinë. Një kohë punoi mësues në vendlindje, pastaj ishte reporter dhe redaktor i emisioneve për fëmijë të Radio Prishtinës e më pas redaktor i botimeve për fëmijë në Redaksinë e Botimeve të “Rilindjes”. Shkruan për fëmijë dhe të rritur, në prozë dhë në poezi, duke përfshirë këtu edhe tekstet e dramave dhe skeçeve humoristike për radio dhe televizion. Ka prirje të veçantë për t’i shfrytëzuar motivet e letërsisë popullore, mbi të cilat krijon vepra të reja. Stili i rrjedhshëm, gjuha e pasur me figura e filozofi popullore, struktura inventive, e brumosur me dialog, humor e satirë, veprat e tij i bëjnë shumë të dashura për fëmijë. Botoi librat për fëmijë “Rrëfejza” (1965), “Trimnitë e Karkalecit” (1967), “Kështjella e dritës” (1968), “Harmonika e vogël” (1968), “Bardhi e Mirushja” (1968), “Princi i Krujës” (1969), “Ujëvarë malli” (1969), “Shtegu i laureshave” (1971), “Lepuri me pesë këmbë” (roman, i ekranizuar, 1971), “Kokërmeli e pilivesa” (1971), “Shkrepi i diellit” (1972), “Dita e xhufkave” (1972), “Dylbitë e kapedanit” (1973), “Minaku i përhimtë” (1973), “Përqafimet e njoma” (1968), “Gjerdani i blertë” (1965), “Vallja e kallinjve” (1968), “Fsahti i pishës” (1969), “Lejlekët në luhaja” (1971), “Një gaforre defatore” (1974), “Rrasa e zogut” (1975), Çka fshin dhelpra me bisht” (1976) e të tjera, ndërsa për të rritur: “Nusja”, (1971), “Përtej dhembjes” (1974), “Përmasa” (1974), e më 1980 botoi pesë vepra; “Ditë pranvere në pyll”, “Macja në gjezdi”, “Qeni bari”, “Dy zagarë kumbarë” dhe “Deti u bëftë kos”, kurse më 1983 iu botua “Djaloshi i zjarreve”. Pesë drama dhe skeçe për fëmijë iu botuan në vëllimin “Fëmijët në skenë” dhe është autor i skenarit të filmit “Lepuri me pesë këmbë”, sipas romanit po me këtë titull. Është fitues u shumë shpërblimeve dhe mirënjohjeve. Shumë nga këto vepra janë përkhtyer dhe botuar në gjuhë të ndryshme të vendit dhe jashtë. Këto të dhëna janë marrë nga monografia “Shkrimtarët e Kosovës”, botuar më 1983, kurse më vonë ai ka botuar edhe librat: “Gjeli në Kuvertë”, “Gjugji nga Gjugjishta”, “Shkurtabiqi më i madh në botë”, “Dhelpra vjedh rrush”, “Një kanjushë në krushë”, “Zogu i bardhë (I), “Gogozheli i Gogozhinës” dhe sapo e ka përfunduar romanin përrallë “Fshehtësia e Breshkës”…