Flokë si Victoria Beckham? Ky model realizohet lehtësisht edhe në shtëpi

Edhe flokët e hollë duken me të vërtetë të harlisur në këtë mënyrë
Disenjatorja e njohur kohë më parë ka zëvendësuar flokët e saj të gjatë dhe të errët me një stil të ri, i cili të kujton pak a shumë pamjen e saj në fillim të viteve 2000.
Flokët e Victoria-s janë të ndara në mes dhe bien në tallaze delikate, me një kalim gradual në një nuancë të çelur në skajet, ndërsa ajo i drejton ato me raste.
Pas dukjes së saj është stilisti i flokëve Ken Paves, siç zbulohet nga stilisti britanik i Victoria-s, Ben Cook, i njohur për punën me yjet më të mëdha.
Cook thekson se pamja e Victoria Beckham-it është e përsosur për femrat në të dyzetat dhe pesëdhjetat, sepse është e lehtë për t'u ruajtur dhe e çon stilin në një nivel tjetër dhe mund të rregullohet sipas nevojës, transmeton Telegrafi.
- E dua bobin sepse është i përjetshëm dhe super elegant - thotë ai. Ka shumë gjatësi dhe variacione që mund t'u përshtaten të gjithave femrave - vëren Ben Cook.
Siç vuri në dukje ai, nëse keni frikë t'i prisni flokët shumë shkurt, ndryshimi i ngjyrës gjithashtu mund t'u japë një jetë të re flokëve tuaj dhe t'ju bëjë të dukeni moderne.
Cook thekson se modeli i flokëve ka skaje më të lehta dhe shtresa më të lirshme, të cilat të gjitha përmirësohen më tej me balayage.
- Teknika e ngjyrosjes ndriçon zonën rreth fytyrës dhe e bën atë më të butë - thotë stilisti.
Duke qenë se rrënja është e përshtatshme, balayage ndihmon për të mbuluar më lehtë qimet e thinjura dhe për të “ruajtur një nuancë të bukur të artë verore në shtresat më të gjata të flokëve”. /Telegrafi/


















































