Fitore e madhe për Fortnite

Epic Games ka njoftuar së fundmi se Fortnite do të rikthehet në pajisjet iPhone në SHBA. Megjithatë, kishte një problem që tani duket se është zgjidhur.
Pas njoftimit të javës së kaluar nga drejtori ekzekutiv i Epic Games, Tim Sweeney, se Fortnite do të rikthehej në iPhone, disa spekuluan se kjo ndoshta nuk do të ishte e mundur, pasi Apple i kishte mbyllur llogarinë e zhvilluesit Epic-ut që në vitin 2020, kur konflikti mes dy kompanive ishte përshkallëzuar.
Vitin e kaluar, kur Direktivës për Tregjet Digjitale (DMA) e BE-së i kërkoi Apple-it të lejonte hapjen e dyqanit Epic Games Store, u aprovua një llogari zhvilluesi vetëm për Bashkimin Evropian.
Megjithatë, pas vendimit gjyqësor të javës së kaluar në SHBA, mbetej e paqartë nëse diçka e ngjashme do të ndodhte edhe atje, pasi vendimi nuk përmendte në mënyrë specifike as Epic Games dhe as Fortnite. Sweeney, megjithatë, ndau në Twitter se është gjetur një zgjidhje, sipas portalit 9to5Mac.
“Bëmë bisedime me Apple për këtë çështje dhe do të përdorim llogarinë tonë Epic Games Sweden për të publikuar Fortnite në App Store-in amerikan. Këtë llogari e kemi krijuar vitin e kaluar për të lançuar Epic Games Store dhe Fortnite në Bashkimin Evropian, dhe Apple kërkonte një llogari me bazë në BE,” tha Sweeney.
Duket se kjo ishte pengesa e fundit e madhe për rikthimin e Fortnite në Amerikë.
Kompania ende nuk e ka dorëzuar aplikimin e Fortnite për miratim në App Review, por pritet ta bëjë këtë në ditët në vijim. /Telegrafi/

















































