Fitore e lehtë nga City, rikthehet në krye të PL

Manchester City ka marrë një fitore të lehtë në udhëtim te Fulham 0-2.
Manchester City e nisi për mrekulli ndeshjen dhe vetëm pas pesë minutash lojë shënoi golin e epërsisë.
Sergio Aguero asistoi bukur te Bernardo Silva i cili me një goditje të fuqishme nga distanca shënoi për 0-1.
Dyshja e Cityt, Aguero-Silva dolën në skenë edhe në minutën e 27-të në golin e dytë të shënuar.

Kësaj radhe portugezi Bernardo Silva asistoi për Agueron që realizoi lehtësisht për 0-2.
Goli ndaj Fulhamit ishte i 19-ti këtë edicion për sulmuesin argjentinas që mban edhe pozitën e parë në listën e golashënuesve.
Pas epërsisë së dy golave, City e uli tempon e lojës duke mos rrezikuar në asnjë moment fitoren e tyre.
Deri në fund vendasit u përpjekën për të bërë diçka më shumë por që nuk arritën ta thyenin mbrojtjen e mysafirëve.

Pas kësaj fitore City vazhdon të jetë në pozitën e parë në tabelë me 77 pikë, një më shumë se Liverpooli në pozitën e dytë.
Në anën tjetër Fulham mbetet e parafundit në tabelë dhe me pak gjasa për t’i shpëtuar rënies. /Telegrafi/





















































