Një ngjarje tragjike ka goditur komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë të shtunë, ku si pasojë e një aksidenti me motoçikletë ka humbur jetën i riu 25-vjeçar Fitim Nela, me origjinë nga Peja e Kosovës.

I ndjeri ishte ushtarak i dalluar në ushtrinë amerikane, me bazë në Teksas.


Ai kishte shërbyer në njësitë elitare të forcave amerikane në Afganistan, duke u vlerësuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij.

Lajmi për aksidentin fatal është konfirmuar edhe nga autoritetet lokale, ndërsa mediat amerikane i janë referuar Policisë së Beltonit për detajet e ngjarjes.

“Policia e Beltonit konfirmon se viktima e aksidentit fatal me motoçikletë të shtunën është identifikuar si 25-vjeçari Fitim Nela, banues në Killeen.

Aksidenti ndodhi rreth orës 10:55 të mëngjesit në rrugën FM 439, pranë rrugës Lake Park.

Sipas dëshmive, një grup motoçiklistësh po udhëtonin së bashku në drejtim lindor, kur Nela humbi kontrollin e motoçikletës dhe u përplas me pjesën e përparme të një automjeti të tipit Buick Sedan. Ai u shpall i vdekur në vendngjarje.

Rruga FM 439, e njohur edhe si Rruga e Liqenit, u mbyll për disa orë për hetime dhe u rihap pak para orës 16:00”, thuhet në njoftim.

Me shumë dhimbje, për ndarjen nga jeta të Fitimit, ka folur edhe xhaxhai i tij, këngëtari Kujtim Nela, në një prononcim për “Radio 1”:

“Fitimi ishte i rrallë, me tipare të veçanta dhe virtyte të larta. Nuk kemi koment sepse jemi thellësisht të prekur dhe të tronditur.”

Familja Nela ka hapur dyert e mortit si në SHBA, ashtu edhe në Kosovë. Shoqata “Peja” në Nju Jork ka njoftuar se ceremonia e varrimit do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, duke bërë publike edhe detajet përkujtimore.

Ndërkaq, Fitim Nela ishte djali i Enis Nelës, një nga bashkëthemeluesit e projektit për ngritjen e fabrikës së prodhimit të municioneve në Pejë – investim ky që është zyrtarizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.