Stolisja filloi nga komuna e Çairit, me vendosjen e dy flamujve me përmasa të mëdha, atij kombëtar dhe atij me logon e 100 vjetorit të pavarësisë.

Shkupi kërkon të mos dallojë nga Tirana e Prishtina, thotë numri një i komunës së Çairit Izet Mexhiti.


Sipas tij do të zbukurohen institucionet e rëndësishme dhe ato më të frekuentuara nga qytetarët, bulevardet kryesore të Çairit dhe Çarshia e vjetër. Mes zbukurimeve, nuk do të mungojë as shqiponja e ndriçuar.

“Çairi do t’i ngjajë Tiranës, Vlorës, Prishtinës. Do të jetë pothuajse ikonografia e njëjtë”, tha Izet Mexhiti, raporton “Alsat-M”.

Komuna e Çairit do të realizojë edhe garën për lagjen e zbukuruar më së miri, me rastin e këtij jubileu.

“Kjo do të jetë edhe një nxitje që flamujt që janë marr të mos mbahen brenda dhe vetëm për dasma, por të jenë të stolisura para shtëpive”.

Jehona e kremtimit të kësaj feste madhështore sa vjen e bëhet më e zëshme. Fryma e saj ndihet në të gjitha familjet shqiptare, ndërsa manifestimet e ndryshme po i japin peshë festës. /Telegrafi/